Komisioni ad-hoc i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren e ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës, pasi nisma nuk ka arritur numrin minimal të delegatëve të përcaktuar me statut.
Sipas raportit të Komisionit ad-hoc, kërkesa ishte dorëzuar më 21 gusht 2026 në adresën elektronike zyrtare të Degës së LDK-së në Prizren nga Adrian Boçaj, njëri prej nënshkruesve të nismës. Kërkesës i ishte bashkëngjitur një listë me 37 nënshkrime të delegatëve.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioni ka konstatuar se deri më 28 gusht tetë delegatë kishin dorëzuar deklarata me shkrim për tërheqjen e nënshkrimeve të tyre.
Kjo ka bërë që numri i delegatëve që mbështesin kërkesën të zbresë nga 37 në 29.
Sipas raportit, Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren përbëhet nga 96 delegatë. Në bazë të nenit 43.3 të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm kërkohet mbështetja e 1/3 së delegatëve, që në rastin konkret përkthehet në së paku 32 nënshkrime.
Komisioni ka vlerësuar se, pas tërheqjes së tetë nënshkrimeve, numri prej 29 delegatësh nuk e arrin pragun minimal prej 32 delegatësh.
Në raport thuhet se Komisioni, pas verifikimit të listës së dorëzuar dhe deklaratave për tërheqjen e nënshkrimeve, ka konstatuar se kriteri statutor lidhur me numrin e nevojshëm të delegatëve nënshkrues nuk është përmbushur.
Për rrjedhojë, Komisioni ad-hoc rekomandon që kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren të konsiderohet e papranueshme, për shkak të mospërmbushjes së kriterit statutor.
Raporti është nënshkruar më 28 gusht 2026 nga katër anëtarët e Komisionit ad-hoc: Bashkim Rrezia, Artan Abazi, Ilir Baldedaj dhe Florent Ukaj./04 Online/


















































