Haradinaj i reagon qeverisë për Autostradën e Dukagjinit: Ajo do të bëhet sapo të ikni ju nga pushteti

0
119

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu se Dukagjini nuk do të ketë autostradë por vetëm zgjerim të rrugës.

Haradinaj ka thënë se autostrada e Dukagjinit do të bëhet sapo të ikë pushteti aktual.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se ky projekt nuk kishte filluar për shkak se mandati i tij ishte ndërprerë ndërsa qeveria Kurti i kishte bllokuar të gjitha projektet, edhe ato ekzistuese.

“Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese”, ka thënë Haradinaj.

Reagimi i plotë:

Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo të ikni ju nga pushteti

Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt.

Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese.

Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.

Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo.

Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet.

Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thojnë se ajo nuk do të ndërtohet.

E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt!/Sinjali

Leave a Reply