Gazetari i FAZ, Michael Martens dhe Gerald Knaus nga “ESI” i janë kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit i ka përmendur në një adresim para mediave, sa i përket zhvillimeve të fundit.
Martens ka shkruar se presidenti serb Vuçiq e ka bërë shprehi që të reagojë për artikujt e gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe ka shtuar se mbase ambasada gjermane në Beograd mund ta ndihmojë presidentin serb me përkthim të artikujve.
”Është bërë një shprehi për presidentin serb Aleksandër Vuçiq që të reagojë për artikujt e publikuar në FAZ. Në rregull. Por a mundet Ambasada Gjermane t’i ofrojë përkthim më të saktë të artikujve të FAZ për të cilët ai diskuton?”, ka pyetur Martens.
Edhe Knaus nga ESI i është përgjigjur presidentit serb, duke thënë se si organizatë janë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Knaus në një video të shkurtër thotë se presidenti serb e ka keqkuptuar atë çfarë ESI ka thënë rreth Asociacionit dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ai ka potencuar se janë për krijimin e një Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.