Escobar tha se Radoiçiq duhet të arrestohet, Sanduloviq pyet: Vuçiq apo Radoiçiq do të përfundojë në burg i pari?

0
140

Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Milan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe se për të ekziston një fletarrestim ndërkombëtar.

Escobar, duke u përgjigjur në pyetjen nëse SHBA do t’i bëjë presion Serbisë për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se Radoiçiqi duhet të arrestohet.

Pas kësaj deklarate të Escobarit e ka komentuar politikani serb Nikola Sanduloviq, përmes një postimi në rrjetin social X, duke thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do ta dorëzojë Radoiçiqin në INTERPOL.

“Kush do të jetë i pari që do të arrestojë apo tradhtojë cilin? Aleksandar Vuçiq do të jetë i pari që do të tradhtojë Milan Radoiçiqin, apo Milan Radoiçiq do ta tradhtojë Aleksandar Vuçiqin? Kush do të përfundojë në burg për shkak të kujt apo kushedi ku?! A i dini përgjigjet e këtyre pyetjeve z. Gabriel Escobar? Po ju pyes sepse shoh që nuk u përgjigjeni shumë pyetjeve në këtë intervistë. Nëse “nuk e dini” përgjigjen e duhur për disa pyetje edhe pas 20 vitesh të kaluara në Ballkan, mos ngurroni të më kontaktoni dhe unë do t’ju ndihmoj të gjeni përgjigjet. Ndoshta as nuk e dini se më kanë rrëmbyer, torturuar dhe rrahur në zyrat e BIA-s serbe në prani të Milan Radoiçiqit, të cilin Aleksandar Vuçiq nuk do ta dorëzojë në INTERPOL? Unë do t’ju jap një link zoti Escobar që u përgjigjet shumë pyetjeve, sigurisht nëse miku juaj Aleksandar Vuçiq ju lejon të më takoni…”, ka shkruar Sanduloviq.

Leave a Reply