Edi Rama e quan të pakuptimtë seancën ku u përballën Kurti dhe Vuçiq, kërkon nga Kosova koordinim me aleatët

0
171

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas seancës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e thirur nga Serbia lidhur me vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb. Rama e quajti “seancë të pakuptimtë”, duke thënë se ai institucion s’është vendi për këto çështje, raporton Gazeta Sinjali.

Siç u tha dhe u kërkua mbrëmë nga ambasadoret e disa shteteve, Edhe Rama tha se për këto çështje duhet të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit të OKB-së qartazi nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-së dhe të fokusohen në arritjen e një marrëveshje për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm në përditshmëri, duke siguruar një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Rama.

Rama ka kërkuar nga Kosova që të koordinohet me aleatët, derisa ka shtuar se Shqipëria do t’i qëndrojë pranë në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm.

“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare.”

Ndryshe, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet.

Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Leave a Reply