Detaje të reja nga vrasja që tronditi Prizrenin | Videoincizimet çojnë te i mituri i dytë – 15-vjeçari kapet dhe ndalohet për “Sulm”

0
23

Hetimet për vrasjen tragjike të një 15-vjeçari në Prizren janë zgjeruar. Pas arrestimit të 17-vjeçarit që dyshohet për vrasjen, Policia ka identifikuar dhe ndaluar edhe një të mitur tjetër, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zhvillimi i ri ka ardhur pas një pune intensive të hetuesve rajonalë dhe sigurimit të disa videoincizimeve që lidhen me rastin.

Nga analizimi i tyre, hetuesit kanë arritur të identifikojnë S.D., 15-vjeçar, i cili tashmë po trajtohet si i dyshuar për veprën penale “Sulmi”.

I mituri është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Atij i është ofruar edhe trajtim mjekësor në spital.

Pas procedurave policore, Prokurori i rastit ka urdhëruar që 15-vjeçari të ndalohet për 24 orë.

Ky është personi i dytë që përfundon në ndalim në kuadër të hetimeve për ngjarjen tragjike të 27 gushtit në rrugën “Shotë Galica” në Prizren.

Çfarë ndodhi natën e vrasjes?

Rasti ishte raportuar rreth orës 23:40 si një therje me thikë.

Kur Policia mbërriti në vendngjarje, ekipi i Urgjencës po i jepte ndihmën e parë Omer Purovës, i cili më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Gjendja e tij ishte e rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, 15-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Pak më larg nga vendi ku kishte ndodhur incidenti, Policia kishte hasur E.H., 17-vjeçar, i cili u arrestua si i dyshuar për rastin.

Gjatë kontrollit, policët i gjetën një thikë në xhep, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës. Ajo u sekuestrua si provë materiale.

17-vjeçari më pas u shoqërua në zyrat e Hetimeve Rajonale në Prizren së bashku me babain e tij. Atij iu siguruan avokat sipas detyrës zyrtare dhe punëtor social.

Në konsultim me mbrojtësin, i mituri u mbrojt në heshtje, ndërsa me urdhër të Prokurorit u ndalua për 24 orë.

Trupi i pajetë i 15-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes po vazhdojnë.

Tashmë, me identifikimin e të miturit të dytë, rasti po hetohet për “Vrasje”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here