Bizneset si “eksportuesit” më të mëdhenj të punëtorëve

0
1199

Mungesa e fuqisë punëtore ka shkaqe të ndryshme dhe shumica prej tyre janë “meritë” e vet bizneseve kryesisht. Deri në 27 vdekje në vendin e punës, mbi 1500 gra shtatzëna të larguara nga puna vetëm brenda një viti, punëtorë me lëndime serioze në vendin e punës, punëtorë me orar deri në 16 orë punë në ditë, 20 mijë punëtorë të deklaruar me pagë 80euro/muaj etj. Janë vetëm disa nga tmerret me të cilat po përballen punëtorët në Kosovë.

Vitet e fundit janë shtuar disa portale, të cilat publikojnë konkurse për punësim nga kompani të ndryshme vendore. Shumë prej atyre konkurseve përsëriten e përsëriten në mungesë të aplikimeve nga punëtorët. Këtyre portaleve po i bëjnë konkurrencë serioze agjencionet kosovare – europiane, të cilat ofrojnë punë në vendet e Europës. Të dyja në garë për punëtorë, mirëpo e dyta po del të ketë sukses të jashtëzakonshëm, parë nga të dhënat e aplikimeve vetëm të Ambasadës Gjermane janë 56 mijë aplikime në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe 48 aplikime për janar të vitit 2022 për vizë pune. Por, e gjithë kjo megjithatë nuk është rastësi.Në vitin 2022 bizneset vazhdojnë me shkelje të ligjit duke mos respektuar të drejtat elementare për punëtorët. Po i përmend vetëm disa nga më esencialet:

Puna jashtë orarit

Këtë problem e shoh çdo të hënë apo të premte kur bëjë rrugën nga Prizreni në Prishtinë dhe anasjelltas. Punëtorët e ndërtimtarisë në ora 06:00 janë në rrugë për punë dhe në ora 18:00, 19:00 apo 20:00 – verës kthehen nga puna. Kjo do të ishte e arsyetuar nëse ata punëtorë do paguheshin me orë/punë, mirëpo fatkeqësisht ata paguhen më pagë fikse edhe kur punojnë 10 orë edhe kur punojnë 12 orë në ditë. E pa imagjinueshme, por e vërtetë e hidhur. Për punën jashtë orarit rrjetet e bizneseve, të cilat merren me shërbime e kanë bërë të rregullt duke shkelur çdo normë, rregullore apo ligj. Sipas informatave vetëm në njërin nga rrjetet e shërbimit në Prishtinë, arkatarët pasi të kryejnë punën në pikat shitëse përkatëse, dërgohen në depot e këtij rrjeti dhe bëjnë regjistrim të mallit deri në orët e hershme të mëngjesit. Imagjinoni punojnë 8 orë në shitje dhe 8 – 10orë të tjera sa herë që vjen malli i ri, duhet ta regjistrojnë po ata të shkretë – pa asnjë kompensim shtesë.40 orë në javë/ 160 orë në muaj – ky orar pune as që vjen në shprehje. Dita kur po shkruaj është e diel, sapo dërgova bashkëshorten në punë, ka punuar nga e hëna deri të shtunën, duhet me patjetër edhe të dielën ose nuk vjen më në punë – thotë punëdhënësi, tregon një qytetarë nga Prishtina.


Sigurime shëndetësore

Kjo ëndërr e venitur. Sektorët, punëtorët e të cilave janë në rrezik në baza ditore, për shkak të natyrës së punës do të duhej që as mos ta kenë temë diskutimi këtë çështje. Para disa viteve, një punëtori në fabrikë ju kishte këputur krahu, mbikëqyrësi i tij i kishte hedhur krahun e këputur të punëtorit në kontejner dhe e kishin larguar nga puna pa asnjë mbulesë financiare madje as edhe atë të shërimit të plagës të paktën (rast i njohur për publikun). Lexojmë në media që çdo vit vdesin punëtorët në vendet e tyre të punës. Në vitin 2018 i kemi 27 raste të vdekjeve në vendin e punës, në vitin 2019 – 17 vdekje , në vitin 2020 – 15 vdekje dhe në 2021 i kemi 11 raste te vdekjes. Familjet e punëtoreve të vdekur të cilëve ju vdes kryefamiljari i tyre mbesin në mëshirën e fatit pa ndonjë mbulesë financiare dhe pa përkrahjen e askujt, thjeshtë duke mbijetuar për një kafshatë buke.


Kontratë pune

Se sa keq është puna në këtë aspekt kemi të dhënat nga ATK – ja, të cilat shfaqin numër të madh të punëtorëve pa kontrata. Vetëm për përfitim të pakove të Rimëkëmbjes janë regjistruar rreth 20 mijë qytetarë nga bizneset e tyre. Por edhe ata që kanë kontrata i kanë të mjera. Afati i tyre është vetëm 3 muaj, pagat e deklaruara në kontrata janë jo reale duke deklaruar pagë 130 euro dhe 170 euro vetëm që të mos paguajnë kontributet dhe taksat siç kërkon Ligji mbi të Ardhurat Personale. Ndërsa lajmi i publikuar këto ditë veç e shton tmerrin që po përballen punëtorët në Kosovë. Rreth 20 mijë punëtorë marrin pagë vetëm 80 euro sipas deklarimeve në ATK. Sigurisht që kjo përveç që rëndon jetën e qytetarëve edhe është e jashtëligjshme bazuar në legjislacionin në fuqi (130 dhe 170 paga minimale).


Pushim i lehonisë dhe pushimi vjetor

Mbi 1500 gra shtatzëna janë larguar nga puna vetëm në vitin 2021. Nuk e kisha imagjinuar që poshtërsia në këtë vend shkon deri në këtë nivel. Nëse një punëtore deklaron që është shtatzënë, i kërkohet menjëherë të liroj vendin e punës, i shkëputet kontrata jashtëligjshëm edhe pse Ligji i Punës e rregullon qartë këtë situatë.Në të shumtën e rasteve punëtoreve ju kërkohet të punojnë deri në muajin e fundit dhe pastaj të shkëpusin kontratën apo ju shkëputët menjëherë më të marrë informatën menaxhmenti.Ndërsa pushimi vjetor respektohet vetëm nga bizneset e mëdha, por ato janë të pakta në numër, e bizneset e vogla dhe të mesme, pushimin vjetor ta paracaktojnë, ta shkurtojnë apo nuk e japin fare. E drejta e zgjedhjes së kohës së pushimit është vetëm ëndërr e punëtorit.Sikur këto të mos mjaftonin, hapja e tregut të punës për shtetasit e Ballkanit nga disa shtete europiane, ka krijuar mundësi për çdo qytetarë që të kërkoj dhe gjej punë në Gjermani, Francë, Itali, Kroaci, Slloveni, Norvegji, Suedi etj. Përderisa në vitin 2010 vetëm për të kaluar nëpër Kroaci duhej vizë tranziti, në vitin 2021 e tutje më një parakontratë nga ndonjë biznes i këtyre vendeve, brenda muajit bëhet viza e punës.
Bizneset (jo të gjitha) këto të “mbjella” për vite të tëra, po i “korrin” tani e ky është vetëm fillimi. Duke shkatërruar tregun e punës për vete, pasojat në masë të madhe fatkeqësisht të këtij shkatërrimi po i vuajnë edhe bizneset e reja të krijuara vitet e fundit.Duke vazhduar me qasje arrogante e injorim ndaj kësaj situate po ashtu nga vet bizneset, këtij problemi madhor as nuk po i shihet filli i rregullimit, andaj numri i aplikimeve në ambasada si duket nuk do të bjerë nën 50 mijë për muaj.

Shkruan: Veton ÇOÇAJ

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply