Sot në Prizren është mbajtur një tubim i organizuar nga gratë e AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate i cili ka mbledhur kandidatët për deputet nga këto subjekte politike nga ky regjion.
I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate në këtë komunë, Zafir Berisha.
Berisha para grave të koalicionit tha se do të angazhohet për avancimin e të drejtave dhe mundësive për gratë në vendin tonë.
“Gjatë gjithë historisë, gruaja shqiptare ka qenë pjesë e lëvizjeve të sukseshëme politike dhe ushtarake dhe ka luajtur rolin vendimtar.
Jemi të bindur se duke u rreshtuar gratë nga Prizreni me kualicionin e veprave të mëdha që mban nr 137, suksesi do të përsëritet edhe me 9 shkurt 2025.
Si kandidat për deputet, dëshiroj të shpreh angazhimin tim të thellë për avancimin e të drejtave dhe mundësive për gratë në vendin tonë.
Në çdo hap të kësaj rruge, do të angazhohem për rritjen e mundësive për edukim, punësim dhe pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje. E dimë që vetëm duke fuqizuar gratë mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Kjo është një betejë për të drejtat, për mundësitë dhe për një Kosovë më të zhvilluar, ku çdo grua ka mundësi të arrijë potencialin e saj të plotë.
Ju ftoj të bashkoheni me ne në këtë rrugëtim, sepse përmes angazhimit tonë të përbashkët, mund të realizojmë një të ardhme më të mirë për gratë dhe për gjithë qytetarët e Kosovës.