Bastiset banesa e 22-vjeçarit në Prizren, Policia gjen drogë të ndarë në doza dhe pistoletë me 100 fishekë

0
155
Foto: Arkiva - Ilustrim

Një aksion i Policisë në orët e para të mëngjesit në Prizren ka çuar në arrestimin e një 22-vjeçari, pasi gjatë kontrollit në veturë dhe më pas në banesën e tij janë gjetur drogë dhe armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 22 maj 2026 rreth orës 01:30 në rrugën “Sylejman Rrotlla”, ku patrulla policore kishte ndaluar për kontroll një veturë “Nissan Juke”.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia ka gjetur substancë narkotike të llojit marihuanë që dyshohet se i përkiste Korab Krasniqit.

Pas shoqërimit të tij në Polici, njësia e DHTN-së në Prizren, në koordinim me Prokurorin dhe me pëlqim të gjyqtarit të procedurës paraprake, ka kryer bastisje edhe në banesën e të dyshuarit në rrugën “Mursel Osmanaj”.

Aty janë gjetur sasi shtesë të narkotikëve dhe një armë zjarri me arsenal municioni.

Sipas burimeve, gjatë aksionit janë sekuestruar:

  • marihuanë e ndarë në doza me peshë totale 9.94 gram,
  • një telefon mobil,
  • një pistoletë,
  • dhe 100 fishekë.

Policia vlerëson se vlera e narkotikëve në tregun ilegal arrin rreth 50 euro.

Korab Krasniqi është intervistuar në stacionin policor në Prizren dhe me vendim të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.

Ndaj tij është iniciuar rasti për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa për armën e konfiskuar është hapur rast i veçantë penal.

Hetimet po vazhdojnë nga Njësia e DHTN-së në Prizren./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here