Banorët e rrugës “Behajdin Hallaqi” kanë shprehur shqetësim të madh pas ndryshimit të vendit ku kryhet vaksinimi i fëmijëve të tyre, duke e cilësuar këtë vendim të papritur dhe të pajustifikuar.
Për vite me radhë, fëmijët e kësaj rruge janë vaksinuar në QMF “11 Marsi”, një qendër e afërt dhe lehtësisht e qasshme për banorët. Mirëpo, sipas tyre, pa asnjë paralajmërim apo njoftim publik, ata janë detyruar që vaksinimin ta kryejnë në QMF 2 në lagjen Lakuriq, ndërkohë që shërbimet e tjera shëndetësore vazhdojnë t’i marrin në QMF “11 Marsi”.
Ky ndryshim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te banorët, të cilët e konsiderojnë të panevojshëm dhe të gabuar orientimin e tyre drejt një qendre tjetër shëndetësore, me të cilën nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë.
“Nuk na ka lajmëruar askush për këtë ndryshim. Është e pakuptueshme dhe e papranueshme që vaksinimin ta kryejmë në QMF 2, kur ne nuk kemi asnjë lidhje me atë lagje. Shërbimet shëndetësore i marrim në QMF ‘11 Marsi’, andaj kërkojmë që edhe vaksinimin ta kryejmë në këtë qendër”, është shprehur i revoltuar një prind.
Banorët kërkojnë nga institucionet përkatëse që të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të rikthejnë shërbimin e vaksinimit në QMF “11 Marsi”, në mënyrë që të shmangen vështirësitë dhe paqartësitë e krijuara./04 Online













































