Analisti amerikan: Kosova të përgatitet, Serbia e ndikuar nga Rusia mund të provokojë me konflikt të armatosur

0
245

Njohësi amerikan i çështjeve në Ballkan, David Phillips, ka thënë se tensionet e së dielës në veri të Kosovës nuk janë të fundit, ndërsa porositi Qeverinë të përgatitet për, siç tha, “operacionet e influencës malinje të Serbisë”.

Në një intervistë për “Zeri.info”, Phillipsi, i cili është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe Drejtësisë në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut, foli edhe për faktin nëse ekziston rreziku i një konflikti të ri të armatosur në Kosovë dhe në rajon, në dritën e zhvillimeve të fundit dhe ndikimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, ndërsa parashikimi i tij ishte që Serbia mund të provokojë në të ardhmen një konflikt të armatosur në Kosovë.

Ai i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për vendimet e fundit, ndërsa ka porositur se duhet të ketë një plan kombëtar për të kuptuar dhe trajtuar më mirë ankesat e serbëve të Kosovës, në mënyrë që të minojë përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për t’i radikalizuar dhe armatosur ata.

Zëri: Pas tensioneve në veri, Kosova ka shtyrë masën e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e dokumenteve të udhëtimit. Si e parashikoni rrjedhën e situatës, mendoni se pas një muaji do të ketë sërish tensione?

David Phillips: Qeveria e Kosovës është brenda të drejtave të saj sovrane për të kërkuar që serbët etnikë që jetojnë në Kosovë të kalojnë nga targat serbe në targat kosovare. Ajo gjithashtu ka të drejtë të insistojë që të gjithë mbajtësit e ID-së dhe pasaportës serbe të marrin një dokument shtesë për të hyrë në Kosovë, ashtu siç duhet të bëjnë kosovarët për të hyrë në Serbi. Aktorët e jashtëm, si Rusia, po rrisin tensionet për të provokuar një konfrontim më të gjerë. SHBA-ja dhe palët e tjera ndërkombëtare duhet ta bëjnë të qartë se ndërhyrja e jashtme në punët e brendshme të Kosovës nuk do të tolerohet.

Zëri: Cili është rreziku i përshkallëzimit?
David Phillips: Nëse serbëve u duhet kohë që të përshtaten me realitetin e reciprocitetit, atëherë Qeveria e Kosovës mund t’i zbatojë vendimet me një ritëm më të ngadaltë. Qeveria mund ta shpërndajë situatën duke ngadalësuar zbatimin e vendimit për targat. Ngadalësimi i zbatimit nuk do të thotë se serbët kanë të drejtën e vetos mbi vendimet e Qeverisë. Vendimet duhet të zbatohen plotësisht në një kornizë kohore të arsyeshme.

Zëri: Cili është roli i Rusisë?
David Phillips: Dhuna propagandohet nga serbët nacionalistë të frymëzuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Një organ ndërkombëtar duhet të punojë me Qeverinë e Kosovës për të hetuar rolin e Rusisë në nxitjen e dhunës së fundit. Puna përmes serbëve të Kosovës është pjesë e librit të lojës së Putinit për të përdorur operacione të influencës malinje për të destabilizuar Kosovën.

Zëri: Si duhet të veprojë Kosova me kërcënimet e vazhdueshme ndaj rendit dhe ligjit nga strukturat në veri që mbështeten nga Beogradi?
David Phillips: Policia e Kosovës ka të drejtë të zbatojë vendimet e Qeverisë. Megjithatë, ekziston një alternativë që mund të shpërndajë tensionet. Mund të jetë më mirë nëse NATO-ja fillimisht zbaton vendimet për të shmangur përshkallëzimin e konfrontimit. Përfshirja e NATO-s do të ndihmonte në qetësimin e situatës. Kjo gjithashtu do të dërgonte një mesazh solidariteti midis Qeverisë së Kosovës dhe Aleancës. Dora e fshehur e Rusisë po punon për të minuar integrimin euroatlantik të Kosovës, duke përfshirë bashkëpunimin e saj me NATO-n.

Zëri: A e shtynë tensionet e fundit mundësinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare?
David Phillips: A kishte mundësi për një marrëveshje të shpejtë për njohje reciproke? Nxitja e dhunës me siguri e bën më të vështirë trajtimin e fushës së plotë të çështjeve dypalëshe në mënyrë të rregullt dhe pajtuese.

Zëri: A mendoni se ekziston rreziku i një konflikti të ri të armatosur në Kosovë dhe në rajon, në dritën e zhvillimeve të fundit dhe ndikimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë?
David Phillips: Po, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për operacionet e influencës malinje të Serbisë për të përfshirë një provokim të armatosur, duke përdorur serbët e Kosovës si përfaqësues të saj. SHBA-ja dhe palët e tjera ndërkombëtare duhet t’ia bëjnë të qartë Beogradit se ka një kosto për provokimet e tij.

Qeverisë së Kosovës i duhet një plan kombëtar për të kuptuar dhe trajtuar më mirë ankesat e serbëve të Kosovës në mënyrë që të minojë përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për t’i radikalizuar dhe armatosur ata. Në kuadër të forcimit të qeverisjes lokale, Qeveria duhet të iniciojë një sërë takimesh private dhe të tipit bashkiak për informim që synojnë zhvillimin e politikave dhe programeve që synojnë rritjen e harmonisë sociale. Thjesht, nisja e nismës do të kishte një efekt qetësues, duke forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin komunal në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe shërbimet, duke përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor.

Leave a Reply