Analisti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, ka deklaruar se në rrethanat aktuale gjeopolitike, prioriteti kryesor strategjik i Kosovës duhet të jetë forcimi i rolit të saj si faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Joseph theksoi se vështirësitë politike të presidentit serb Aleksandar Vuciq krijojnë një mundësi për Kosovën që të përfitojë në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, pas angazhimeve diplomatike të Vuçiqit në Paris dhe Londër, kryeministri Albin Kurti duhet të fokusohet në stabilizimin e situatës së brendshme.
“Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë shfrytëzimi i vështirësive të Vuçiqit për t’u shfaqur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan”, ka deklaruar Joseph.
Ai theksoi nevojën që Kurti të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe të punojë me opozitën për arritjen e një kompromisi për zgjedhjen e presidentit.
“Kurti duhet të bashkëpunojë me opozitën për një zgjidhje kompromisi për presidentin”, u shpreh ai.
Joseph gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përkushtimit ndaj komuniteteve joshumicë, duke sugjeruar që kryeministri të ndërmarrë hapa konkretë për të ndërtuar besim, veçanërisht me komunitetin serb në Kosovë.
“Ai duhet t’i vizitojë serbët dhe të garantojë se shërbimet shëndetësore dhe të tjera do të vazhdojnë pa ndërprerje, deri në integrimin e plotë institucional”, tha Joseph.
Sipas tij, situata ndërkombëtare është duke ndryshuar, me Vuçiqin që po përballet me presion në rritje nga Bashkimi Evropian dhe pa mbështetjen e mëparshme nga liderë si Viktor Orbán.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Kosova ka mundësi të përfitojë duke u pozicionuar si partner konstruktiv për Perëndimin.
“Kosova mund të shfaqet si një burim stabiliteti, nëse vendos interesat shtetërore në plan të parë dhe shmang politikat përçarëse”, theksoi ai.
Joseph paralajmëroi se zgjedhjet e reja të panevojshme mund të dëmtojnë këtë pozicion dhe i bëri thirrje Kurtit të ndërtojë konsensus të brendshëm.
Ai shtoi se një qasje më bashkëpunuese mund të sjellë mbështetje më të madhe nga Bashkimi Evropian, si dhe nga SHBA-të.
Në fund, Joseph theksoi se perceptimi ndërkombëtar për kryeministrin Kurti duhet të ndryshojë.
“Ai ka mundësinë të tregojë se Kosova është një partner i vlefshëm për BE-në, NATO dhe SHBA-në”, përfundoi ai.













































