Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit

0
103

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar Zejnullah Gashit dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas saj, vendimi është marrë pas pranimit të propozimit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe shqyrtimit të dokumentacionit, përfshirë informacionet nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e monitorimit të procesit të përzgjedhjes.

Haxhiu tha se ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, duke marrë parasysh rëndësinë e funksionit.

Ajo i uroi Gashit sukses në detyrë dhe theksoi se pret që ai ta ushtrojë funksionin me integritet, paanshmëri dhe përkushtim ndaj sundimit të ligjit.

Postimi i plotë:

Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.

Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.

Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë.

https://www.facebook.com/albulenaa.haxhiuu/posts/36744430091867662?ref=embed_post

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here