Zbulohet një botë e përmbytur: Shterja e Lumit Dnjepër vë në pah mbetjet e së kaluarës

0
288

Lumi Dnjepër rrodhi rregullisht nëpër ishullin e lashtë Khortytsia për shumë dekada – derisa shkatërrimi i një dige të madhe bëri që uji të shterej muajin e kaluar, duke nxjerr në sipërfaqe fusha me baltë dhe gëzhoja të shpërndara nga mbetjet e së kaluarës së afërt dhe së largët.

Shkatërrimi i digës në qytetin e kontrolluar nga Rusia, Kahovka, më 6 qershor, shkaktoi vërshime të mëdha poshtë lumit dhe pothuajse e shteri një ujëmbledhës të madh në krye të lumit, duke e shkaktuar një fatkeqësi humanitare dhe ekologjike përgjatë një pjese të madhe të Ukrainës jugore.

Kjo prishje mund ta ketë ngadalësuar kundërofensivën e Ukrainës kundër forcave pushtuese ruse, duke e parandaluar një sulm të mundshëm në pozicionet e tyre në brigjet lindore të Dnjepërit.

Kievi e ka fajësuar Rusinë për shkatërrimin e digës, pasi e ka pasur nën kontroll atë për rreth 16 muaj, dhe hetimet gazetareske sugjerojnë se Rusia e hodhi atë në ajër nga brendësia.

Largimi i ujit e ka zbuluar, po ashtu, atë që nganjëherë quhet “Atlantisi Kozak” – toka që dikur ishin shtëpi të kozakëve zaporizhianë, luftëtarëve stepë të cilët e kishin formuar një organizatë politike të njohur si “Zaporizhian Sich” në shekujt XVI dhe XVIII, shumë kohë para se toka të përmbytej kur Bashkimi Sovjetik e ndërtoi digën Kahovka në vitin 1956.

“Bumi arkeologjik”

Diga Kahovka ishte pjesë e një sistemi të digave, rezervuarëve, dhe termocentraleve hidroelektrike të ndërtuara nga Bashkimi Sovjetik përgjatë Dnjepërit, për t’i parandaluar vërshimet e pakontrolluara, për ta përmirësuar transportimin në lumin që e ndan në dysh Ukrainën, dhe për të prodhuar energji.

Fshatra të shumta, kisha dhe vende historike, ishin zhytur plotësisht nën ujë si pasojë e ndërtimit të saj.

I kryer kryesisht gjatë Luftës së Ftohtë, projekti përfshinte një dozë të planifikimit ushtarak, sepse duke i hedhur në ajër digat mund ta krijosh një pengesë të vështirë për një ushtri pushtuese në çfarëdo momenti. Kishte ndodhur dy herë gjatë Luftës së Dytë Botërore: më 1941, Bashkimi Sovjetik e hodhi në ajër hidrocentralin në Zaporizhzhya, për ta ngadalësuar përparimin e nazistëve; gjermanët e rindërtuan atë dhe e shpërthyen përsëri më 1943, në përpjekje për ta ndaluar kundërofensivën sovjetike.

Pasi uji u shter për katër metra nga prishja e digës më 6 qershor, kërkuesit e fatit, të njohur si “arkeologët ilegalë” apo “gërmuesit” – njerëz të cilët mbledhin jashtëligjshëm artefakte, zakonisht për t’i shitur – e gjetën një kafkë me helmet naziste dhe pajisje të tjera nga konflikti i fundit i armatosur që e kishte mbërthyer rajonin deri në shkurt të vitit 2022, kur Rusia e nis pushtimin e plotë të Ukrainës, një sulmi i paprovokuar që e shkaktoi luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Mbetjet e një ure të përkohshme të ndërtuar më 1944 dolën mbi sipërfaqen e ujit në qytetit Zaporizhazhya.

Tharja e ujëmbledhësit Kahovka mund të shkaktojë “bum arkeologjik” në të ardhmen, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Oleh Tuboltsev, hulumtues nga Rezerva Kombëtare Khortytsia dhe themelues i Shkollës së Re Arkeologjike në Zaporizhzhya.

Tani për tani, hulumtuesit nuk mund të kenë qasje në shumicën e territorit të sapozbuluar, sepse forcat ruse e kanë okupuar shumicën e bregut lindor të ujëmbledhësit – por zbulime të reja po ka çdo ditë.

Qeveria e Ukrainës e ka aprovuar tashmë një rezolutë për një projekt për rindërtimin e digës Kahovka – një hap i nevojshëm për ta furnizuar me ujë rajonin, por i mundshëm mbase vetëm nëse trupat ruse tërhiqen.

Lumi Dnjepër në Ukrainë pothuajse i shterur, pas prishjes së digës.
Lumi Dnjepër në Ukrainë pothuajse i shterur, pas prishjes së digës.

Arkeologët thonë se nuk kanë kohë për të humbur dhe argumentuar se kërkimet shkencore duhet të përfshihen në projekt.

Njëra prej zbulimeve më të jashtëzakonshme deri tani është një anije druri shtatë metra e gjatë, e cila është rreth 500 vjet e vjetër. Ajo u nxor me kujdes të shtuar nga lumi me ndihmën e arkeologëve detarë, të cilët kishin udhëtuar nga Zaporizhzhya gjatë një pushimi nga detyra si ushtarë në vijën e frontit, tha Tuboltsev.

Për shekuj të tërë, Lumi Dnjepër ishte pika kyçe e tregtisë që i lidhte Skandinavinë, Kievan Rus dhe Perandorinë Romake Lindore. Në fillim të kohërave moderne dhe në kohërat moderne, lumi më i madh i Ukrainës e karakterizoi shumicën e historisë së saj për shkak të rëndësisë ekonomike dhe ushtarake.

Khortytsia, ishulli më i madh në këtë lumë, ka qenë historikisht i vendosur nën ujëvarat e Dnjepërit, i cili lejonte kalimin e lumit, dhe mbi të ashtuquajturin Velykiy Luh – apo Livadhet e Mëdha – të cilat ofronin një mikroklimë të freskët në një mjedis stepë të thatë. Ai luajti një rol të rëndësishëm për ardhjen e popujve të njëpasnjëshëm për të jetuar në të gjatë pesë mijë vjetëve të fundit.

Që nga shkatërrimi i digës, arkeologët që po punojnë në këtë ishull, kanë gjetur qeramika nga Epoka e Bronzit dhe nga epoka e grekëve të lashtë, që me gjasë ishin sjellë këtu nga Krimea, artefakte që ndërlidhen me Kievan Rus dhe me tregtinë e Tatarës së Krimesë, si dhe pjesë të anijeve dhe armë nga kohët e kozakëve dhe Perandorisë Ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Anatoliy Volkov, një hulumtues nga Rezerva Kombëtare Khortytsia.

Anije kozake nga luftërat turko-ruse janë gjetur dhe ruajtur nga arkeologët ukrainas.
Anije kozake nga luftërat turko-ruse janë gjetur dhe ruajtur nga arkeologët ukrainas.

Rishqyrtimi i kozakëve

Pakësimi i ujit në rezervuar – një shtrirje e gjatë dhe e gjerë e Dnjepërit – e nxori në sipërfaqe territorin e Velykiy Luh, ku kozakët zaporizhianë ndërtuan të paktën tetë vendbanime të fortifikuara, të quajtura siches, nga mesi i shekullit XVI deri në fund të shekullit XVIII. Por, derisa luftimet nuk do të përfundojnë në rajon, tha Volkov, ato dhe zona të tjera premtuese arkeologjike – siç janë vendbanimet tatarë dhe kurganët skithianë, apo tuma varrimi – nuk do të jenë të qasshme për hulumtim.

Ishte pikërisht ky rajon i rëndësishëm historik aty ku nisi Kryengritja Khmelnytsky kundër mbizotërimit polak më 1648. Shumë njerëz besojnë se ky ishte vendi ku kozakët e shkruan letrën e tyre famëkeqe, në të cilën nuk pranuan të ishin besnikë ndaj Sulltan Mehmedit IV të Perandorisë Osmane – një skenë e përshkruar nga piktorja e shekullit XIX, Ilya Repin.

Trashëgimia e Zaporizhian Sich, një kuazi-shtet i organizuar si një demokraci ushtarake dhe i krijuar nga kozakët, të cilët po luftonin kundër tatërëve të Krimesë, turqve osmanli, polakëve dhe rusëve, ka qenë tejet e rëndësishme për identitetin kombëtar të Ukrainës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Mykola Svydran, një historian që punon në Muzeun e Kozakëve Zaporizianë.

Ndërtimi i muzeut ishte i mundur për shkak të politikave më dorëlehta gjatë periudhës së njohur si “ngrohtësi”, nën udhëheqjen e liderit sovjetik Nikita Khrushchev, por drejtorët e tij më vonë u përballën me kritika nga autoritetet sovjetike për shkak të akuzave për nacionalizëm.

Sot, agresioni rus ndaj Ukrainës është duke e ndryshuar perceptimin popullor për kozakët zaporizhuanë, i cili para luftës ishte formësuar kryesisht nga historiografia ruse, tha Svydran.

“Në vend se t’i shohim ata si mbrojtës të ortodoksisë, ne tani i kuptojmë lidhjet e thella që ata i kishin me kulturën polake dhe tatare, dhe i shohim ata, fillimisht, si paraardhës të pavarësisë së Ukrainës.

Zaporizhian Sich ishte shpërbërë nga Perandoresha ruse Katerina e Madhe në vitin 1775, dhe territori i saj ishte inkorporuar në provincën ruse Novorossiya. Nga atëherë, krokazët, të cilët e humbën autonominë e tyre, morën pjesë në luftërat e Rusisë, më e rëndësishmja kundër Perandorisë Osmane.

Prishja e digës, një "akt ekocidi"
FotogaleriPrishja e digës, një “akt ekocidi”

Pushtimi i bregdetit të Detit Azov dhe Krimesë në shekullin XVIII është përdorur vazhdimisht nga propagandistët rusë dhe presidenti Vladimir Putin për ta arsyetuar kapjen e Gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe pjesë të rajoneve Zaporizhzhya, Kherson, Luhansk, and Donetsk në shtator 2022, në asnjërën prej të cilave forcat ruse nuk kanë kontroll të plotë.

Arkeologët dhe historianët që po punojnë në ishullin Khortytsia kanë gjetur dhe ruajtur disa anije kozake, të cilat ishin përdorur në ato fushata. Andriy Denysenko, hulumtues dhe restaurues që punon për ruajtjen e strukturave të drurit, ia tregoi Radios Evropa e Lirë një gjyle topi 10 tonësh nga shekulli i XVIII – modeli më i madh në Perandorinë Ruse në atë kohë – i gjetur nga kolegët e tij nën zhavorr në fund të lumit.

Andriy Denysenko, hulumtues dhe restaurues, duke punuar në ruajtjen e një anije të sapogjetur.
Andriy Denysenko, hulumtues dhe restaurues, duke punuar në ruajtjen e një anije të sapogjetur.

“Ata po e vërshojnë qytetin tonë me raketa, ndërsa ne po i restaurojmë flotat historike të Dnjepërit”, tha ai.

Arkeologji e kohës së luftës

Qyteti i Zaporizhzhya, vetëm 35 kilometra larg vijës së frontit, është goditur me raketa dhe nga dronët që nga dita e parë e pushtimit të plotë rus 17 muaj më parë. Dhjetëra njerëz janë vrarë në sulme, dhe ndërtesa të shumta janë dëmtuar apo shkatërruar. Ishulli Khortytsia është goditur nga 21 raketa.

Shumica e rajonit Zaporizhzhya vijon të mbetet nën pushtimin rus, pavarësisht betejave të vazhdueshme përreth qyteteve Orikhiv dhe Hulyaypole. Autoritetet hetuese të Ukrainës i kanë hapur 2.430 procedura kriminale për krime të dyshuara lufte nga Rusia dhe ushtarët e saj në Ukrainë, ndaj ushtrisë dhe popullit të saj.

Rusia e ka ndërtuar një sistem të gjerë të fortifikimeve dhe minave tokësore në territorin e pushtuar, i cili është duke i ngadalësuar përpjekjet e Ukrainës për ta rimarrë territorin e vet. Sipas Tuboltsevit, i cili i studioi fotografitë nga sateliti, ky rrjet është “shumë më i madh se në vitin 1943” dhe qindra zona arkeologjike, përfshirë “gati të gjitha “kurgane skithiane”, ishin shkatërruar gjatë rindërtimit të saj.

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të Ukrainës nga Rusia e ka zanafillën shumë më herët. Sipas Ministrisë së Kulturës të Ukrainës, gati 40 muze në Ukrainë janë plaçkitur që nga fillimi i pushtimit të plotë dhe mijëra thesare janë grabitur.

Në mesin e tyre: një diademë 1.500 vjet e vjetër – njëra nga artefaktet më të vlefshme në botë nga sundimi i shekullit X i Attilas – ishte vjedhur nga një muze në qytetin jugor Melitopol, që kontrollohej nga Rusia, bashkë me 1.700 artefakte të tjera. Hiç më pak se 2.000 sende të tjera janë plaçkitur nga një muze në Mariupol, të cilin forcat ruse e pushtuan në maj 2022, pas disa muajve të sulmeve brutale që e shkatërruan shumicën e qytetit bregdetar të Detit Azov.

Kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, Tubolstev, i cili është 55 vjeç tani, nuk i braktisi punët e tij.

Duke u druajtur se “dekada punë ishin në rrezik”, tha ai, ai vendosi ta kompletonte një katalog me artefakte arkeologjike të gjetura në rajon. I biri i një inxhinieri rus dhe, sipas pasaportës së tij ukrainase, një rus etnik, ai vendosi të ndryshonte gjuhën e folur në ukrainase, përfshirë në jetën private.

Shumë prej studentëve të tij iu bashkuan ushtrisë, ndërsa disa kolegë të tij janë nën okupim.

“Para pushtimi, ishte një ndjesi e madhe pro-ruse në rajon. Por në Zaporizhzhya ka qenë e qartë për shumë vite se e ardhmja i takon Ukrainës, gjuhës së saj, dhe kulturës së saj”, tha Tuboltsev. /REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here