Spektakël në Shkup, Ballkani fiton me përmbysje dhe prek kalimin në grupe

0
310

Ballkani hedh një hap të rëndësishëm drejt historisë, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-2 me përmbysje ndaj Shkupit në “Tose Proeski” dhe tani e sheh veten më pranë kalimit në grupet e Conference League, verdikt që do të jepet vetëm të enjten e ardhshme në Prishtinë.

Nën një atmosferë mjaft miqësore mes dy skuadrave shqiptare, ishin vendasit e Shkupit ata që e nisën vrullshëm dhe krijuan disa mundësi, teksa pas kaur goditjesh nga këndi në harkun e pak minutave, zhbllokuan sfidën me anë të Adetunjit në minutën e 17’.

Megjithatë mbrojtja nuk është një nga pikat më të forta të skuadrës nga Çairi dhe kjo u konfirmua edhe mbrëmjen e sotme, kur pas një kundërsulmi, Rrahmani u la i lirë në shtyllën e parë dhe ia doli të rikthejë baraspeshën.

Shkupi kërkoi golin e avantazhit, por hasi disa herë në formën e mrekullueshme të portierit Ljuljanovic, ndërsa nga ana tjetër Ballkani i Ilir Dajës ishte vendosur mirë dhe kujdesej të mos pësojë e të kapë kundërshtarin në kundërsulm.

Pikërisht në një zbritje tjetër në të 67-ën, Meriton Korenica lëshoi një goditje fantastike nga distanca dhe dërgoi topin në trekëndësh, duke i dhënë avantazhin Ballkanit dhe ndezur festën mes “xhebrailëve” të pranishëm në stadium.

Reaguan edhe njëherë vendasit, që goditën traversën me Da Sivlën, ndërsa më pas shënuan me Adetunjin, i cili ishte pak centimetra më i avancuar dhe goli u anulua. Në shtesë ishte sulmuesi Cephas që pati një rast të artë shënimi, por shpërdoroi, duke bërë që sfida të mbyllej me rezultatin 1-2.

Ballkani e sheh tashmë veten më pranë kalimit në fazën e grupeve, pasi do t’i duhet të menaxhojë në Prishtinë një avantazh minimal, që gjithsesi i jep shpresë Shkupit të provojë përmbysjen e madhe./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here