Sonte Roma-Feyenoord, Tirana në qendër të vëmendjes së Evropës

0
332

Sonte në orën 21:00 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë do të zhvillohet finalja e Europa Conference League, ku përballen Roma dhe Feyenoord.

Kryeqyteti shqiptar tashmë është shndërruar në kryeqytetin evropian. Tifozë të shumtë italianë e holandezë, por jo vetëm, kanë vërshuar Tiranën tash e disa ditë, teksa interesimi për të gjetur një biletë për ta parë spektaklin e sotëm brenda objektit që tashmë është shndërruar si ikonë e kryeqytetit shqiptar, është i jashtëzakonshëm.

Por, t’i rikthehemi finales. Kjo ndeshje për trajnerin e Romës, Jose Mourinho është shumë e veçantë. Kjo do të jetë finalja e pestë e madhe evropiane për “Special One”, i cili deri më tani i ka fituar të katërtat – dy me Porton dhe nga një me Interin dhe Manchester Unitedin. Ai e di se si duhet të arrijë deri te triumfi në ndeshjet finale. Megjithatë, skuadrat italiane nuk kanë fituar trofe evropianë prej 61 vjetësh, edhe pse viteve të fundit kanë arritur deri në gjysmëfinale të këtyre kompeticioneve. Po ashtu, edhe Roma është në kërkim të fitores së saj të parë në një finale në garat e UEFA-s, pasi ka humbur më parë në Kupën Evropiane të vitit 1984 dhe në Kupën e UEFA-s të vitit 1991.

“Nuk besoj në gjërat magjike. Nuk ka asgjë të veçantë për të bërë, thjesht duhet të jemi si ekip. Të kemi parasysh cilësitë që kemi, por edhe limitet tona”, ka theksuar Mourinho një ditë para finales.

“‘Special One’ është një histori e vjetër. Kjo ishte kur unë isha në fillimet e karrierës sime. Kur ke më shumë pjekuri dhe stabilitet, mendon më shumë për njerëzit dhe më pak për veten. Është një histori e vjetër. Unë nuk besoj në magji – kur arrin në një finale pas një sezoni të mundimshëm, puna përfundon aty. Është momenti i ekipit, jo momenti i një individi. Nëse fitoj do të bëhem i pari që do të fitoj të gjithë trofetë evropianë, por kjo është vetëm nëse arrij të fitoj në këtë finale”, ka shtuar trajneri portugez.

Në anën tjetër trajneri i Feyenoordit, Arne Slot, ka thënë se do të ishte gjë e mrekullueshme nëse arrin ta ngre lart trofeun e kësaj gare, derisa e ka vlerësuar homologun e tij te Roma. “Mourinho? Ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. Përveç tij, mund të përmendësh edhe më shumë trajnerë që kanë vënë firmën e tyre në një ekip dhe e kanë kombinuar atë me trofe. Kjo është jashtëzakonisht e bukur. Si trajner është gjë e mrekullueshme të arrish në finale, por do të jetë edhe më bukur nëse e fitojmë Conference League”, ka theksuar Slot.

Të rikujtojmë se Feyenoord e nisi rrugëtimin drejt finales së Tiranës pikërisht në përballje me skuadrën e Dritës. Madje, këtë pengesë holandezët e kaluan me mjaft vështirësi, pasi ndeshja e parë u mbyll 0:0, derisa ndeshja e kthimit në Roterdam 3:2.

Leave a Reply