Si të vini beben në gjumë për 13 minuta me metodën japoneze

0
701

Vënia në gjumë e një fëmije të vogël, është shpesh një detyrë shumë sfiduese. Kush është prind e di këtë. Udhëtimet me makinë, shëtitjet e gjata në karrocë, ninulla në maksimum dhe më pas…kur gjithçka duket se po shkon në rrugën e duhur, i vogli zgjohet pikërisht nëmomentin kur e shtrini në krevat.

Dhe në atë moment gjithçka nis nga e para. Ky problem është kaq shumë i përhapur nëpër botë, sa që një grup shkencëtarësh japonezë, të udhëhequr nga Kumi Kuroda, është munduar të gjejë një zgjidhje, duke publikuar “recetën për një gjumë të qetë” (për foshnjat dhe prindërit).

Studimi që sapo është publikuar në ”Current Biology”, analizon në detaje se si ndikojnë lëvizjet në qetësimin e fëmijëve që qajnë. Shkencëtarët krahasuan reagimin e 21 të porsalindurve në 4 situata të ndryshme:në krahët e nënës që qëndron në këmbë, në krahët e nënës ulur, shtrirë në një krevat fëmijësh, dhe shtrirë në një djep që lëkundet.

Falë kamerave video dhe elektrokardiogramave, shkencëtarët ishin në gjendje të vëzhgonin reagimet fiziologjike dhe të sjelljes së fëmijëve. Dhe çfarë zbuluan ata? Kur nëna ecte me fëmijën e saj në krahë, foshnjat që qanin u qetësuan dhe rrahjet e tyre të zemrës u ngadalësuan brenda 30 sekondave.

Një efekt i ngjashëm u pa me vendosjen në djep. Por kjo gjë nuk ndodhte kur nënat e mbanin foshnjën në krahë ndërsa qëndronin ulur (në këtë rast rrahjet e zemrës u rritën), ose kur evendosën në krevatin që nuk lëkundet. Po për sa kohë duhet ecur? Shkenca thotë 5 minuta.

Të gjitha foshnjat që qanin ndaluan pas 5 minutash ecje, duke qenë në krahët e nënës së tyre,dhe gjysmën e tyre e zuri gjumi. Por kini kujdes:”Ecja për 5 minuta e nxit gjumin, por vetëm tek fëmijët që qajnë. Çuditërisht, teknika nuk funksionon tek foshnjat që janë të qetë dhe nuk qajnë”– thotë Kuroda.

Por kur nënat u përpoqën t’i vendosnin fëmijët e tyre në shtrat kur ishin përgjysmë në gjumë, më shumë se 1/3 e tyre u zgjuan plotësisht brenda 20 sekondave. Gjatë eksperimentit ndodhi pikërisht ajo që ndodh zakonisht në realitet. Ekipi i studiuesve zbuloi se të gjitha foshnjat kanë reaksione fiziologjike, përfshirë përshpejtimin e rrahjeve të zemrës, të cilat mund t’i zgjojnë kur trupat e tyre shkëputen nga trupat e nënave të tyre.

“Unë jam nënë e 4 fëmijëve, e megjithatë jam befasuar nga rezultati. Pasi deri më sot mendoja se zgjimi i fëmijës kur vendoset në shtrat lidhej me mënyrën se si është vendosur, delikatesën e lëvizjes dhe pozicionin e tij”– shton më tej Kuroda, drejtuese i grupit kërkimor. Atëherë si zgjidhet problemi i pozicionimit? Studiuesit bënë disa testime, dhe zbuluan se parametri kryesor për të qenë në gjendje të vendosësh në shtrat pa u zgjuar të porsalindurit ishte vonesa e vënies në gjumë. Në praktikë është parë se të vegjlit zgjoheshin nëse vendoseshin shumë shpejt në krevat:ata duhej të flinin në prehrin e nënës edhe për 8 minuta të tjera për të mos u zgjuar kur i vendosnin në djep.

Si përfundim, receta për t’i vënë në gjumë foshnjat që qajnë shumë dhe që s’mund të flenë është:Ecni me fëmijën në krahë për 5 minuta, duke shmangur lëvizjet e papritura. Qëndroni ulur me fëmijën në krahë për 8 minuta të tjera.

Më pas vendoseni fëmijën në krevatin e tij. Shkenca argumenton se kjo procedura është shumë efektive. Pavarësisht se e kanë kryer eksperimentin vetëm me nënat, studiuesit janë të bindur se teknika funksionon edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në këtë pikë, gjithçka që ju mbetet është ta provoni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here