Qeveria e Kosovës ka miratuar sot rritjen prej 20% të pensioneve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje nga rritja. “Do të rriten pensionet familjare për familjarët e dëshmorëve të UÇK-së, duke filluar nga një familje që ka dhënë një dëshmor rritja do të jetë 20%, kurse familjet që kanë dy e më shumë dëshmorë, rritja do të jetë përtej 20%”, ka thënë ai.
“Ekzekutimi do të fillojë nga ky muaj, pensionet e para fillojnë në datën 15 të muajit. Nëse flasim me shifra, te familja që ka dhënë një dëshmor pensioni ka qenë 448 euro, do të bëhet 537 euro. Te familja që ka dhënë dy dëshmorë ka qenë 537 euro, ndërkaq do të bëhet 806 euro. Familja që ka dhënë tre dëshmorë ka qenë 582 euro, ndërkaq do të bëhet 1075 euro. Familja që ka dhënë katër dëshmorë ka qenë 627 euro, do të bëhet 1344 euro dhe familja që ka dhënë më shumë se katër dëshmorë ka qenë 672 euro, do të bëhet 1613 euro”, ka saktësuar Murati gjatë konferencës për medie, pas mbledhjes së Qeverisë.
Murati ka treguar se rritja vlen e njëjtë për pensionet e familjeve të viktimave civile, të zhdukurve civil , invalidëve civil.
“Do të rriten të gjitha kategoritë për pensionet invalidore me 20% si dhe shtesat për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët e UÇK-së, pra kujdestari do të ketë rritje prej 20%”, ka theksuar ai./RTK