Madrilenët i pret një sfidë REALe sonte në Itali

0
78

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së gjashtë të fazës së ligës.

Nëntë ndeshje interesante na presin sonte derisa kjo fazë po shkon drejt fundit para nisjes së fazës eliminuese.

Pa dyshim, dueli kryesor i natës së sontmes do të jetë ai mes Atalantës dhe Real Madridit, shkruan “Gazeta Express”.

“Los Blancos” e shohin veten në vendin e 24-t, respektivisht të fundit që e siguron “Play-Off”-in për të shkuar në të tetën e finales.

Andaj, ekipi i Carlo Ancelottit e ka medoemos fitoren nëse dëshiron të shpresojë për ta vazhduar eksperiencën në garën më prestigjioze të futbollit evropian.

Madrilenët i kanë 2 fitore e 3 humbje, ndërsa sonte do t’i hyjnë ndeshjes me Atalantën me të gjitha forcat, përkundër mungesave të shumta.

Por, ata s’do të kenë punë aspak të lehtë pasi përballë e kanë liderin e Serie A, i cili gjendet në një moment magjik.

Përpos shkëlqimit në kampionatin italian, Berat Gjimshiti me shokë po shfaqin formë të lartë edhe në Champions, ku momentalisht janë në vendin e pestë me 3 fitore e 2 barazime, pa e provuar ende humbjen.

Për këtë, ekipi bergamask do ta kërkojë një tjetër fitore të madhe sonte për t’iu afruar edhe më shumë kualifikimit direkt në të tetën e finales.

Kjo njëherësh do të jetë një përsëritje e Superkupës së Evropës, ku ishin përballur pikërisht këto dy skuadra pak muaj më parë.

Fituesi i Ligës së Kampionëve, Real Madrid, e kishte mundur fituesin e Ligës së Evropës, Atalanta me rezultat 2:0.

Një tjetër duel interesant sonte do të jetë ai mes Bayer Leverkusenit dhe Interit.

Të dy ekipet e kanë nisur mjaft mirë formatin e ri të Championsit dhe gjenden lartë në tabelë.

Granit Xhaka me shokë e shohin veten në vendin e gjashtë me 3 fitore, 1 barazim e 1 humbje, ndërsa “Nerazzurri” në atë të dytë me 4 fitore e 1 barazim.

“Farmaceutikët” do të tentojnë t’i mbajnë pikët në shtëpi për t’u ngritur edhe më shumë në tabelë.

Kurse, Zikaltrit me një fitore eventuale në Gjermani do ta shihnin veten me një këmbë në fazën tjetër të kësaj gare.

Liverpooli është ekipi i vetëm me statistika perfekte prej 5 fitoresh nga po aq ndeshje.

“Reds” do ta vizitojnë sonte Gironën në Spanjë në kërkim të fitores së gjashtë, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, ekipi spanjoll është treguar i pafuqishëm deri tash pasi e zë vendin e 30-të në tabelë me 1 fitore e 4 humbje.

Bayern Munichu gjithashtu do ta kërkojë fitoren për t’iu afruar Top 8-shes, e cila dërgon direkt në të tetën e finales.

Gjiganti bavarez momentalisht është i 13-ti me 3 fitore e 2 humbje.

Për ta arritur këtë duhet ta mposht sonte Shakhtar Donetskun, i cili është i 26-ti me 1 fitore, 1 barazim e 3 humbje.

Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.

Faza e ligës së Championsit i ka 36 skuadra.

Tetë të parat do të shkojnë direkt në të tetën e finales.

Kurse, ekipet që do të përfundojnë nga pozita e nëntë e deri në atë të 24-t do të kualifikohen në fazën e “play-off”-it.

Prej këtyre 16 skuadrave, 8 do të shkojnë tutje për ta kompletuar të tetën e finales.

12 skuadrat e fundit që do të përfundojnë në tabelë, pra nga vendi i 25-të deri në atë të 36-të, do të eliminohen nga Liga e Kampionëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here