Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1%. Sipas KMDLNj-së, kjo rritje godet rëndë qytetarët, veçanërisht shtresat e cenueshme si pensionistët, përfituesit e skemave sociale dhe veteranët, raporton 04 Online.
Organizata akuzon ZRrE-në se ka vepruar si ndërmarrje kriminale në shërbim të interesave të operatorëve të energjisë dhe jo të qytetarëve, duke përmendur edhe diskriminimin në faturim ndër vite. KMDLNj kritikon edhe Qeverinë Kurti për mosveprim dhe fton qytetarët të intensifikojnë protestat për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Përkundër dy protestave në Prishtinë , kundërshtimit në forma tjera , dërgimit të komenteve , ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE dje miratoi vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 përqind që në masë të madhe do ta vështirësojë jetën e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës , bizneseve të shumta e në veçanti shtresave të cenueshme siç janë : pensionistët , përfituesit e skemave sociale , veteranët e luftës etj. Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur qytetarin e varfëruar të Kosovës madje me disa improvizime të ministres përkatëse pranoi rritjen duke përshkallëzuar këtë rritje. Ndërmarrja kriminale ZRrE asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit por se ka mbrojtur në mënyrë skajshmërisht të pamoralshme interesin e operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturave të caktuara qeveritare , që nga përfundimi i luftës deri më sot. Për 15 vite ka vjedhur paratë e qytetarëve të Kosovës në baza etnike duke liruar serbët nga çdo detyrim për pagesë përmes fryrjes së faturave . As sot e kësaj dite qytetarët e dëmtuar nuk janë kompensuar ndonëse kemi një vendim të gjykatës . KMDLNj – ë fton qytetarët të organizohen dhe t’ i intensifikojnë protestat në mbrojtje të drejtave të tyre . ZRrE nuk është shteti dhe nuk mund të jetë mbi ligjin.
Intensifikimi i protestave është në funksion të mbrojtjes së një interesi të përgjithshëm prandaj duhet të protestojnë të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike , bindjeve politike , moshës , gjinisë apo statusit në shoqëri. Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të mbetet rast i izoluar përkundrazi do të prodhojë rritje të çmimit të të gjithë artikujve dhe shërbimeve. Kjo rritje kriminale do të kontribuojë në shpopullim të Kosovës , edhe ashtu të rinjtë po ikin në mënyrë masive . Protestat duhen të organizohen në tërë Kosovën dhe KMDLNj fuqishëm përkrahë protesta të karakterit social dhe ekonomik.” thuhet në reagimin e KMDLNj-së./04 Online