KMDLNJ: Gjejeni një zgjidhje që të fillojë viti shkollor!

0
1316

Për shkak të shpërfilljes së kërkesave të SBASHK-ut nga qeveria e Kosovës, sindikalistët janë në ditën e pestë të grevës duke vënë në rrezik fillimin e rregulltë të procesit arsimor që fillon me datë 1 shtator. Qeveria e Kosovës, në vend që të propozojë një zgjidhje përafruese, qoftë edhe kalimtare, është treguar shumë e ngurtë dhe hakmarrëse ndaj një organizimi dhe veprimi sindikalist që është tërësisht në përputhje me ligjet në fuqi.

KMDLNj gjithnjë është deklaruar se greva është masë e skajshme dhe e fundit pasi të jenë shterrur të gjitha mundësitë për tejkalim të situates. KMDLNj mendon se ende ka hapësirë për një marrëveshje të negociuar dhe të afatizuar nëse ekziston vullneti i palëve ” ndërluftuese “. Ministria e Financave, me veprimin për të shkaktuar përçarje midis grevistëve duke kërkuar lista diferencuese se kush janë pjesëmarrës në grevë për t’i penalizuar me shkurtim të pagave, në mënyrën më flagrante po i shkelë të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut duke e portretizuar qeverinë e Kosovës si dhunuese e këtyre të drejtave. Përpjekje që greva të ndërlidhet me procese politike dhe rrëzim të qeverisë nuk është e bazuar në asnjë fakt shkaku se greva ka kërkesa të natyres ekonomike dhe sociale e jo kërkesa politike. Për të tejkaluar situatën, SBASHK-u duhet të tërhiqet nga kërkesat maksimaliste kurse kryeministri Kurti, fillimisht dhe me urgjencë duhet ta shkarkojë ministrin Murati i cili është pengesa kryesore për tejkalimin e situatës së krijuar. Në disa shtete të rajonit, për shkak të inflacionit të lartë, krizes ekonomike që kanë trende globale, janë rritur rrogat e punëtorëve të arsimit kurse më Kosovë nuk ka asnjë vendim nga qeveria se do të ndodhë një gjë e tillë, jo për punëtorët e arsimit por për asnjë kategori në kohën kur kemi përkeqësim galopant të gjendjes ekonomike.

KMDLNj është kundër çdo linçimi që po iu bëhet grevistëve dhe drejtuesve të saj për faktin se ata po e shrytëzojnë një të drejtë të garantuar me ligj e që konsiderohet si e drejtë elementare e njeriut, e drejta për organizim dhe veprim të lirë sindikalist.
Ndërkaq, arsyetimi  se sindikatat duhet vet të paguajnë grevistët shkaku se kanë buxhet vetanak duke përmendur shifra konkrete është kërcënim i pandershëm i një ministri që, përmes inkriminimit të mundshëm të detyrojë grevistët të ndërprejnë grevën.

Shkarkimi i ministrit Murati për shkak të dhunimit të të drejtave sindikaliste, të drejtave të njeriut që duhet të mbrohen me ligj dhe i cili në mënyrë të paskrupullt kërcënon dhe shantazhon grevistët, krijon kushte për arritje të një marrëveshjeje të pranuar nga të dyja palët. Po të mis ishte një përkeqësim i thellë i krizës ekonomike siç është ky në Kosovë, KMDLNj, pa asnjë dyshim do të kundërshtonte kërkesën për rritje të kompensimit material që e kërkon SBASHK-u, gjithnjë duke ua mbrojtur të drejtën për protestë dhe grevë. Në rrethanat e krijuara KMDLNj përkrahë çdo kërkesë për rritje të pagave apo kompensimit, sidomis për kategoritë e rrezikuara dhe komunitetet e margjinalizuara. Për KMDLNj është e pranueshme çdo marrëveshje e palëve e që mundëson fillimin e vitit shkollor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here