Juventusi “heq qafe” mesfushorin me prishje të kontratës

0
188

Përvoja e Aaron Ramsey-t tek Juventusi ka përfunduar zyrtarisht. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale “Zonja e Vjetër”, e cila ka saktësuar se bëhet fjalë për zgjidhje të kontratës.

“Përfundimi i kontratës së Aaron Ramsey-t me Juventusin është zyrtar”.

Kështu përfundon një marrëdhënie që zgjati nga viti 2019, pasi mesfushori u lirua nga Arsenali për t’u transferuar në Torino dhe për të luajtur në Serinë A.

Megjithatë, për të, eksperienca e Juventusit nuk ishte me fat, e karakterizuar nga shumë lëndime, pa i përmbushur pritshmëritë, me 69 paraqitje gjithsej dhe vetëm 6 gola.

Duke mos qenë në planet e Massimiliano Allegrit, sezonin e kaluar Ramsey u huazua te Rangers, duke gjetur formë fizike, por në Glasgoë, megjithatë, nuk e kujtojnë me buzëqeshje: i futur në fushë nga Giovanni Van Bronckhorst vetëm pak minuta para goditjeve të 11-metërshave në finalen e Europa League-s, uellsiani dështoi në penalltinë e tij, duke ia dorëzuar trofeun Eintrachtit.

Një periudhë jo shumë pozitive, pra, për mesfushorin uellsian, i cili megjithatë mund të ngushëllohet me paraqitjet me kombëtaren, me të cilën fitoi kualifikimin në Botërorin e Katarit./SS

Leave a Reply