Ish-ministri gjerman i Punëve të Jashtme dhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka komentuar veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me Asociacionin me të cilin është kushtëzuar anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës.
Roth e ka quajtur veprim të guximshëm veprimin e Qeverisë të cilët po punojnë në draft-statutin e Asociacionit dhe i cili do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Guximi ka rëndësi! Faleminderit miqve tanë në Kosovë! Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është i merituar”, ka shkruar Roth.
Për dallim nga Roth, ambasada gjermane në Kosovë ka thënë se lëvizja e fundit e Qeverisë së Kosovës s’përbën hapin e madh të kërkuar nga Kosova.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.
Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Telegrafin. /Telegrafi/