Hidhet hapi i parë drejt bashkimit doganor Kosovë – Shqipëri

0
289

Në mbledhjen e mbajtur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje me homologen nga Shqipëria, Ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e marrëdhënieve doganore dhe mirëqenies sociale.

Përkatësisht, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Ibrahimaj që përkon me fushën e bashkëpunimit doganor, synon krijimin e një grupi të përbashkët pune, i cili do të fokusohet në vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e mundësive për bashkim doganor, përpilimin e planit të veprimit dhe hartimin e një studimi kost-benefit për mundësitë, dhe hapat që duhet të ndërmirren për bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri.

Në anën tjetër në këtë mbledhje po ashtu, Ministri Murati dhe Ministrja Ibrahimaj nënshkruan marrëveshje që ndërlidhet me fushën e mbrojtjes sociale e cila synon vendosjen e kornizave administrative për implementimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore.

Kjo marrëveshje ka si objektiv kryesor sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale.

Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies së qytetarëve në të dyja vendet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here