Gabimet që bëjnë prindërit shqiptar me fëmijët kokëfortë

0
314

Kur një fëmijë është kokëfortë, në fakt ai fëmijë ka personalitet dhe karakter të fortë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Kokëfortë janë ata fëmijë që në momentin që duan të bëjnë diçka, do ta çojnë atë deri në fund. Kjo është çështje karakteri, që secili mund ta ketë, por ka fëmijë që e kanë më të spikatur kokëfortësinë.

Psikologia Bona Majklli, shprehte për emisionin Ditë e Re me moderatorë Arjola Shehu dhe Arjon Muça, se fëmijët kokëfortë nuk duhen qortuar, fillimisht prindërit duhet t’i dëgjojnë ata.

Psikologia thotë: “Fëmijët që janë kokëfortë nuk duhen qortuar, por duhen dëgjuar. Ne në kulturën tonë këtu në Shqipëri, kur një fëmijë thotë që dua ta ndërtoj vetë këtë lodrën ne i themi ‘jo se ti ke nevojë për ndihmë’. Ai fëmijë faktikisht fillon dhe irritohet akoma dhe më shumë. Është mirë që fëmija në fillim të dëgjohet, përpara se të dënohet për një sjellje të caktuar.”

Ajo shton se prindërit duhet t’i ofrojnë mundësi zgjedhjesh fëmijëve, në mënyrë që vendosin vetë për veprimet e tyre dhe të bëhen të pavarur.

“Një nënë duhet t’i japë zgjedhje fëmijës. Si për shembull ose do hash patatet ose do hash karotat. Në këtë mënyrë ti i mëson fëmijëve që ata të zgjedhin. Të bëhen më të pavarur.

Nga ana tjetër ka prindër që janë neglizhentë ndaj fëmijëve kokëfortë. Kjo është e gabuar. Një prind duhet të vendosi disa rregulla dhe kur një fëmijë është kokëfortë në momentin që i thua mos e bëjë, ai fëmijë do ta bëjë edhe më shumë. Duhet t’i krijojë fëmijës qartësinë për rregullat që duhen ndjekur në shtëpi. Prandaj fëmija me personalitet të fortë nuk do që t’ia imponojnë idenë, por do që ta kuptojë rregullin dhe ta vendosi vetë. Prindi duhet të gjejë pikat e forta të fëmijës dhe të bëjë një analizë, pse fëmija sillet në atë mënyrë.”

Gjithashtu psikologia këshillon prindërit të mos i ngrenë zërin fëmijëve, pasi fëmijët humbasin besimin te ta.

“Nëse një fëmijë ngre zërin, nënat edhe baballarët nuk duhet ta ngrenë zërin më shumë se fëmija, por duhet të ulen dhe ta dëgjojnë. Ndërsa te ne, nëse fëmija bërtet ne e ngremë më shumë zërin, këtë e kam vënë re dhe te vetja ime. Nëse ne ia ngremë zërin fëmijës, fëmija nuk do vijë te ne për të zgjidhur problemet, por do i diskutojë me shokët, do gjejë mënyrë tjetër.”

Leave a Reply