Dialogu më 14 shtator hyri në qorrsokak

0
370

Në anglisht i thonë “deadend”, por edhe në shqip, edhe në serbisht përdoret fjala “qorrsokak” për hyrje në një rrugë e cila nuk çon tutje. Këtu ka hyrë procesi i dialogut më 14 shtator, pas dështimit të takimit në Bruksel. BE-ja fajëson të dyja palët për shkelje të obligimeve nga Marrëveshja. Kosovën e fajëson për refuzim të kompromisit. Por edhe propozimi i BE-së shënon një shkelje serioze të Marrëveshjes dhe dëshmon heqjen dorë nga insistimi që ajo të zbatohet pa vonesa dhe pa kushte në tërësi

Me një bindje shumë të madhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli i pari para gazetarëve në Bruksel pas dështimit të një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, me të cilin ndërmjetëson Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se “BE-ja dhe Borrell do të jenë shumë të qartë dhe objektiv” në atë që do të thonë. Dhe vërtet shefi i diplomacisë së BE-së dha konstatimin e njëjtë me atë të presidentit të Serbisë se “propozimin e kompromisit” që paraqiti BE-ja e ka pranuar Serbia dhe e ka refuzuar Kosova. Nuk është hera e parë që zyrtarët e BE-së thonë pikërisht atë që presidenti i Serbisë e paralajmëron se do ta thonë. E kanë bërë këtë edhe në të kaluarën. Duket sikur ata vërtet konsultohen edhe rreth asaj se cilin diskurs publik do ta mbajnë. Që dëshmon për një nivel të latë të besimit mes tyre. Në anën tjetër është bërë shprehi që përfaqësuesit e Kosovës pas takimeve të dialogut të presin, të shohin çfarë do të thotë pala serbe, çfarë do të thotë BE-ja e pastaj flasin ata. Kjo dëshmon një ndjenjë të pasigurisë dhe mosbesimit. Ky mosbesim doli për herë të parë në shesh publikisht kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi lehtësuesin e BE-së se kushtëzimin e Serbisë e ka përfillur dhe shndërruar në qëndrim të Bashkimit Evropian. Dhe si pasojë ai nuk ka mundur të bëjë asgjë tjetër pos të refuzojë, pasi këtë qëndrim e ka obligim si kryeministër i Republikës.

Lehtësuesve të BE-së u mbeti shumë hatri në sjelljen e Kosovës. Shumë u zemëruan se Kosova bëri publike një propozim të palës tjetër, atë të Serbisë, duke thënë se “nuk ka ndodhur asnjëherë në dialog që njëra palë të nxjerrë dokumente të palës tjetër”. Por duket se me bërjen publike të propozimit të Serbisë, Qeveria e Kosovës deshi të argumentonte akuzat e saj për lehtësuesit e BE-së që po akomodojnë kërkesat dhe interesat e Serbisë. Dhe për të parë se sa janë marrë parasysh ato kërkesa në propozimet e Bashkimit Evropian. Për më tepër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli e tha se vetëm ai, pa thënë pala kosovare, në takime ka dhënë propozime konkrete.

Për shkak të zemërimit apo për të demantuar kryeministrin e Kosovës, nga burimet e BE-së morëm një dokument të vogël që u tha se është teksti i propozimit të BE-së të cilin e paska pranuar presidenti i Serbisë, Vuçiq, por e paska refuzuar kryeministri i Kosovës, Kurti.

Opinioni përfitoi nga kjo, sepse nga një proces jashtëzakonisht jotransparent, epitet që pa dyshim e meriton ky dialog, doli një dokument që shpjegon se ku gjendet realisht dialogu. E ai gjendet në qorrsokak.

Në anglisht i thonë “deadend”, por edhe në shqip, edhe në serbisht përdoret fjala “qorrsokak” për hyrje në një rrugë e cila nuk çon tutje. Edhe shqiptarët, edhe serbët e përdorin thënien turke ose e përkthejnë direkt si “rrugë e verbër”, gjegjësisht “slepa ulica”. Tutje pa dyshim nuk mund të shkohet në këtë mënyrë. Ose duhet gjetur një rrugë tjetër, ose duhet kthyer prapa. Këtu ka hyrë procesi i dialogut më 14 shtator pas dështimit të takimit në Bruksel. BE-ja i fajëson të dyja palët për shkelje të obligimeve nga Marrëveshja, Kosovën e fajëson për refuzim të kompromisit. Por edhe propozimi i BE-së shënon një shkelje serioze të marrëveshjes dhe dëshmon heqjen dorë nga insistimi që ajo të zbatohet pa vonesa dhe pa kushte në tërësi.

Pak ka rëndësi a e ka paraqitur apo jo BE-ja këtë propozim në tavolinë me 14 shtator apo në korrik apo kur. Kosova ka qenë në dijeni për këtë propozim dhe nuk ka dyshim se e ka refuzuar. Është lojë fjalësh se e ka pasur formalisht propozim apo jo, a është dhënë ai në formë gojore apo me letra, a është vendosur letra mbi apo nën tavolinë. Ajo që është e rëndësishme është përmbajtja. E përmbajtja tregon se Kosova ka pasur shumë arsye që të mos e pranojë, sepse as për së afërmi nuk u afrohet pritjeve të saj. Për më tepër, zyrtarët e BE-së e kanë forcuar kërkesën që Kosova “të mos insistojë në njohjen e pavarësisë”, sepse kjo, sipas një zyrtari të BE-së, “nuk do të çojë askund në zbatimin e marrëveshjes”.

Bërja publike e propozimit të BE-së i jep një detyrim edhe opozitës në Kosovë që të shprehet. Edhe opozita duhet të thotë se a do të duhej pranuar apo jo në këtë formë ky propozim. Liderët e opozitës në Kosovë duhet të tejkalojnë rolin e analistëve dhe përtej kritikave ndaj Qeverisë se “na prishët me miqtë” të shprehen për gjërat që nuk janë më abstrakte, por janë jetike për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës.
Ku është problemi me propozimin e BE-së. Ai propozim e dëshmon pak a shumë pohimin e kryeministrit Kurti se tash edhe BE-ja kërkon që “Asociacioni të formohet së pari e pastaj shohim”.

Nuk është që nuk e kemi ditur se BE-ja ka këtë qëndrim tash e një kohë të gjatë. Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta injorojë këtë qëndrim të BE-së duke besuar se në atë mënyrë ai do të zhduket. Nuk mund të sillet Qeveria sikur diçka që nuk më pëlqen nuk ekziston. E kemi thënë shumë e shumë herë se, pa marrë parasysh çfarë shkruhet e çfarë nuk shkruhet në letra, Asociacioni është kusht mbi kushtet. Dhe se asgjë nuk do të lëvizë konkretisht pa u zbatuar ky obligim i Kosovës.

Propozimi i BE-së shkon haptas kundër frymës së marrëveshjes dhe shkel së paku tri pika të aneksit të zbatimit të marrëveshje. Në aneksin e miratuar në Ohër, mes të tjerash, thuhet se “Kosova dhe Serbia pajtohen se të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri”. Më tej thuhet se “renditja e paragrafëve në aneks nuk paragjykon renditjen e implementimit të tyre” dhe se “Kosova e Serbia pajtohen se nuk do ta bllokojnë asnjë nen”.

Kuptohet se zbatimi duhet të nisë nga diku, se duhet të ketë një sekuencim. Por propozimi i BE-së më shumë se gjysmën e sekuencave ka kusht Asociacionin. Ai bën të qartë se implementimi i marrëveshjes do të koordinohej duke pasur si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që nuk përmendet me këtë emër por si “instrumente për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë”. E vetmja gjë që Serbia do të duhej të mos e bënte, e asgjë të bëjë, është që të mos insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës dhe atë vetëm në forumet rajonale. Pra, Kosova do të niste themelimin e Asociacionit e derisa të mos e përmbyllte e vetmja gjë që do të përfitonte është mosinsistimi i Serbisë për të përdorur atë që në Kosovë moti ka marrë emërtimin si “fjolla e borës e Edita Tahirit”. Bile kjo nuk do të ishte detyrim në forumet ndërkombëtare por vetëm në ato rajonale. Dhe prapë nuk kërkohet që Serbia të mbështet mospërdorimin, por vetëm të mos insistojë. E mund të insistojë dikush tjetër, si për shembull Bosnjë-Hercegovina.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Edhe strukturat e Serbisë që veprojnë në Kosovë do të ndërprisnin veprimet vetëm pasi punët e tyre do të transferoheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, Serbia strukturat e saj shtetërore në territorin e Kosovës, tash me bekimin e BE-së, do të mund t’i mbajë derisa të mos bëhet funksional Asociacioni. Dhe, mes të tjerash, lë të kuptohet se Asociacionit do t’i barteshin disa detyra nga strukturat shtetërore të Serbisë. Kjo hap më shumë probleme sesa zgjidh në dilemat se çfarë kompetencash mund të ketë apo nuk duhet të ketë Asociacioni.

Një prej përfitimeve më të mëdha që i llogariste Kosova nga Marrëveshja ishte obligimi i Serbisë që të mos kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Kjo do të shërbente për të kërkuar nga shtetet tjera që të mos kundërshtojnë kur as Serbia nuk do të kundërshtonte. Jo vetëm që nuk qorton shkeljen e deritashme të Serbisë, por propozimi i BE-së do t’i jepte Beogradit edhe më shumë kohë për të kundërshtuar në të ardhmen, pasi ky obligim është renditur nga fundi i propozimit të BE-së, pasi të fuqizohej Asociacioni dhe të formalizohej edhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe.

Në pyetjet tona se a shkon kundër frymës së aneksit ky propozim i BE-së, një zyrtar i saj është përgjigjur se “kjo është pjesërisht e saktë, por kjo ka kuptim pasi themelimi i Asociacioni nuk është akt, por proces”. Pra, do të duhej të bëheshin propozimet, negociatat, të përmbylleshin ato, të shkruhej dhe të miratohej statuti. Pastaj do të duhej të aprovohej edhe nga Gjykata Kushtetuese, e kështu me radhë. Pra, themelimi i Asociacionit është proces që mund të zgjasë me vite dhe hap mundësinë për Serbinë që edhe me vite të kundërshtojë pa pasoja anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç e ka bërë edhe deri tash.

Është besuar se takimi i nivelit të lartë më 14 shkurt të shërbejë për të zhbllokuar rrugën në dialog. Sipas qëndrimeve të BE-së, negociatat në kuadër të tij janë përmbyllur në mars dhe më nuk ka, por vetëm diskutime për implementim. Por takimi me dështimin e tij e vendosi tash dialogun në qorrsokak dhe tash duhet të shohin se si të dilet nga kjo rrugë apo t’i jepet fund aty ku ka mbetur, me të gjitha pasojat që vijnë.

Shkruan: Augustin PALOKAJ

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply