Çka është menopauza e çka është klimaksi?

0
465

Duhet të dimë që njëjtë siç fillon hyrja në fazën fertile të jetës në pubertet, e kundërta është klimakteriumi – faza e shuarjes së fertilitetit të femrës. Në këtë fazë ndodh edhe gjakderdhja e fundit funksionale, që quhet menopauza.

Menopauza (sipas OBSH-së) është gjakderdhja e fundit menstruale, e cila mund të caktohet vetëm në mënyrë retrograde nëse kalon më tepër se një vit pa gjakderdhje menstruale.

Pastaj e kemi Perimenopauzën – koha kur veç fillojnë shenjat klinike dhe ato simptomat karakteristike që i përjeton një grua në këtë fazë, Postmenopauza, që veç karakterizohet si faza e qetësisë ose shuarjes së plotë dhe Seniumi ose gjendja pas moshës 65-vjeçare.

Mosha mesatare e menopauzës është mosha 51-vjeçare

Në qoftë se humb aftësia riprodhuese para moshës 40-vjeçare, atëherë e kemi të bëjmë me një pamjaftueshmëri të parakohshme të ovareve /vezoreve.

Faza e vonshme riprodhuese karakterizohet me fillimin e shpenzimit te rezervave folikuare dhe pastaj si pasojë e kësaj edhe me pamjaftueshmëri hormonale, që na jep shenja të dukshme siç janë ndryshimet në karakterin e gjakderdhjes mujore, fillojnë ndër të tjera duke u shkurtuar ciklet menstruale.

Nuk ka ndikim mosha e fillimit të gjakderdhjes menstruale të parë me moshën e menopauzës, po ashtu as marrja e kontraceptiveve në këtë nuk ka ndikim.

2-8 vjet para menopauzës fillojnë të zgjaten ciklet menstruale, sepse tani fillon një cikël menstrual të jetë pa ovulacion.

Tek 95% e grave faza e ndryshimeve të kësaj natyre fillon nga mosha 39 – 51-vjeçare, kjo fazë shenjëzohet me shpenzim gati të plotë të rezervave në vezore, edhe pse në kohën e menopauzës në vezore janë më se mbi 1000 folikuj primordialë (rezerva të qelizave vezë). Ato fillojnë të humbin funksionin e tyre dhe më nuk arrijnë të evoluojnë.

Nga ana hormonale nuk do të futemi të shpjegojmë detaje që në jetën e përditshme nuk kanë vlera praktike, mirëpo duhet ta kemi të qartë se shuarja hormonale natyrisht që do të ketë ndryshime gravuse në trupin e femrës në tërësi.

Shenjat kryesore dhe karakteristike të klimaksit janë valët e nxehta dhe djersitjet e hovshme – të gjitha shenjat e tjera si ndjeshmëria e shtuar, pagjumësia, depresioni, migrena, kokëdhëmbja etj. janë shenja sekondare.

Shenja kardinale e menopauzës janë valët e nxehta, që janë si pasojë e rënies së nivelit të estrogjenit

Këto valë të nxehta që përjetojnë gratë si pasojë e ndryshimeve zinxhirore që sjell më vete zvogëlimi ose mungesa e hormonit estrogjen, te 80% e grave zgjasin më tepër se një vit, ndërsa te 30% e grave zgjasin më tepër se pesë vjet.

Marrja e hormoneve zëvendësuese ul këto shenja, mund t’i reduktojë për 75%.

Organizmi i femrës në këtë fazë tranzitore, si dhe në kohen kur arrihet qetësia e plotë hormonale pëson një serë ndryshimesh.

Rënia e Libodos si pasojë e rënies së hormoneve seksuale, demenca, depresioni, atrofia e vaginës, inkontinenca urinare, mplakja e lëkurës, dobësimi i te parit, diabeti, sëmundshmëritë e sistemit kardiovaskular etj. janë ndër ndryshimet që në shumicën e rasteve shfaqen krahas me klimateriumin.

Osteoporoza, besoj e keni dëgjuar shpesh, është e ndërlidhur shumë me këtë fazë.

Osteoporoza nënkupton humbjen e masës kockore dhe rrit afinitetin ndaj frakturave. Jo rastësisht preken 4-5 herë më shpesh femrat se meshkujt nga kjo gjendje.

Terapia hormonale zëvendësuese

Kemi forma dhe terapi të ndryshme hormonale që mund të jepen te gratë, duke pasur parasysh gjendjen specifike të saj dhe shenjat klinike të klimaksit, si dhe sëmundjet shoqëruese.

Në Perimenopauzë jepet zakonisht terapi hormonale ciklike për shkak të shqetësimeve të kësaj faze dhe të anomalive të gjakderdhjes.

Në Postmenopauzë trajtojmë për të ruajtur organizmin nga ndryshimet të lartcekura dhe më tepër këshillohet terapi e vazhdueshme.

Një terapi të këtillë hormonale mund t’ju përshkruhet nga gjinekologu juaj, në formë të individualizuar duke iu përshtatur gjendjes së organizmit tuaj.

Gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që femra të ketë një aktivitet të shtuar fizik, duke vizituar palestrën ose edhe me ecje për të paktën një orë gjatë ditës. Ky aktivitet, së bashku me vitaminën D dhe kalciumin si suplemente, do t’i kundërvihet efektit negativ të hormoneve në dendësinë e kockave.

Ushqimi gjithmonë duhet të jetë i shëndetshëm, por gjatë Perimenopauzës duhet të konsumohen veçanërisht ushqime të pasura me kalcium (produkte qumështi, lëngje portokalli, sallata).

Shkruan: Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë

Leave a Reply