Bie eksporti, rritet importi| Statistikat e tregtisë “ia kthejnë shpinën” Kurtit

0
151

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.4% në muajin janar 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 291.5 milion eurosh, krahasuar me deficitin prej 273.8 milion eurosh në vitin 2022.

Eksporti mbulon importin me 17.6%.

Eksporti i mallrave në muajin janar 2023 kishte vlerën 62.1 milion Euro, ndërsa importi kishte vlerën 353.7 milion euro, që është një rënie prej (-3.2%) për eksport, si dhe një rritje prej 4.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 25.6%e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.4% e përbëjnë produktet minerale; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 4.4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.2% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.7 milion Euro, ose rreth 31.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-24.1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.6%), Italia (4.6%), Holanda (3.7%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 149.3 milion Euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.2%), Italia (4.6%), Greqia (4.6%), etj.

Në muajin janar 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 25.9 milion Euro, ose 41.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (19.2%), Shqipëria (10.2%), Mali i Zi (6.1%), dhe Serbia (5.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar 2023, arritën në 54.4 milion Euro, ose 15.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.1%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.4%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 16.4 milion Euro, ose 26.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (9.5%), dhe SHBA (8.1%), raporton EO.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 149.9 milion Euro, ose 42.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14.2%) dhe Kina (10.5%).

Leave a Reply