Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka prezantuar sot (e mërkurë) trajnerin e ri Alain Giresse.
Disa muaj pas shkarkimit të zviceranit Bernard Challandes, FFK ka gjetur pasuesin e tij, të cilin e ka prezantuar sot në ambientet e hotel Emerald.
Bëhet fjalë për trajnerin francez, Alain Giresse, i cili nga sot do ta marrë drejtimin e Dardanëve.
Prezantimi i Giresse u bë nga i pari i FFK-së, Agim Ademi, në një konferencë shtypi të organizuar së bashku me Muharrem Sahitin dhe Bajram Shalën.
Foto gjatë prezantimit të Alain Giresse (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
Trajneri francez ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Kosovën.
Ndryshe, Giresse si trajner për disa vite ka menaxhuar skuadra si: Toulouse (1996-98 dhe 1999/2000), Paris Saint-Germain (1998) dhe FAR Rabat (2001/2003).
Nga viti 2004 ka filluar të jetë trajner i kombëtarëve ku ka drejtuar Gjeorgjinë (2004/2005), Gabonin (2006/2010), Malin (2010/2012 dhe 2015/2017), Senegalin (2013/2015) dhe Kombëtarja e fundit që Giresse ka menaxhuar është ajo e Tunizisë për sezonin 2018/19. /Telegrafi/