Të nderuar miq dhe mbështetës të Zafës dhe BDP-së,
Nga Gjermania po ju drejtohem me këtë letër publike për të ndarë disa nga përvojat e mia me Zafën,njeriun më parimor që kam njohur deri më sot, në këto rrethana që po kaloni ju në Prizren. Kam qenë pranë Zafës në situata të ngjashme, madje edhe më të rënda.
Në vitet 2007 dhe 2009, Zafa dy herë radhazi i solli fitoren PDK-së në Prizren. Pas fitores së dytë, disa persona brenda PDK-së, për arsye biznesore, nisën fshehurazi bashkëpunimin me LDK-në, vetëm për interesa personale. Kur Zafa i kuptoi këto lojëra, u rebelua dhe filloi t’i kundërshtojë hapur. Por, kur pa se këto veprime po mbështeteshin edhe nga disa njerëz në Prishtinë, ai dha dorëheqje dhe bashkë me të u larguam edhe ne, ata që i qëndruam besnikë.
Unë u ktheva në jetën time të zakonshme, duke u marrë me punët e mia derisa filluan joshjet nga ministra duke më ofruar poste edhe në diplamaci.
Kjo joshje nuk ndodhi vetëm me mua, por me të gjithë ne që ishim rreshtuar përkrah tij.
Unë dhe miku ynë tashmë i ndjerë, Nysret Durmishi, për shkak të afërsisë sonë me Zafën, u bëmë objekt i joshjeve dhe shantazheve të ndryshme nga njerëzit e PDK-së që kishin pushtet absolut. Megjithatë, ne nuk u ligëm e as nuk u nënshtruam, sepse ishim të vendosur të qëndronim me Zafën deri në fund. Edhe pse Ceti e pësoi nga ata, ai nuk u largua kurrë prej Zafës.
Në vitin 2010 filluam të formojmë Bashkimin Demokratik. Vepruam si ekip pa hile dhe shpesh u gjendëm në situata të ngjashme me ato që po kaloni ju sot me Zafën. I kemi kaluar ato sfida si një trup i pandarë, pavarësisht lojërave të ndyra që bëjnë të tjerët në emër të partive politike që në fakt janë vetëm pazargji të interesave personale.
Zafën e njoh më mirë se shumë prej jush që sot jeni pranë tij. Ai nuk merr vendime të ngutshme apo të pamenduara, por ta dini mirë: Zafa nuk lejon asnjë njeri të gjallë, subjekt apo grup interesi ta prekë në dinjitet.
Prandaj, ju ftoj të rezistoni deri më 9 nëntor, në balotazh. Vota ime nga Gjermania, që më erdhi sot me postë, po niset në përkrahje të vendimit tuaj. Sepse sfida si këto i kemi kaluar edhe në vitet 2013, 2017 dhe 2021 – dhe gjithmonë kemi dalë me dinjitet.
Shkruan: Leart Batusha
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online














































