Vulin nga Rusia: Serbia mund t’i bashkohet BRICS nga presioni i BE-së për Kosovën

0
115

Zëvendëskryeministri i Serbisë paralajmëroi se “presioni dhe kërcënimet” e Brukselit ndaj Beogradit në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, mund të çojnë në anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

Aleksandar Vulin këto komente i bëri mbrëmë në Shën Petersburg të Rusisë, ku po qëndron për të marrë pjesë në takimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe këshilltarëve të sigurisë kombëtare të vendeve të BRICS.

“Nëse Stano mendon se Serbia do të pranonte të njohë de fakto ose de jure pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë në këmbim të vazhdimit të rrugës për në Bashkimin Evropian, ai mund të harrojë Serbinë ashtu siç e ka harruar përkushtimin e Prishtinës për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe”.

“Vetëm le të vazhdojnë zyrtarët evropianë të kërcënojnë dhe të bëjnë presion ndaj Serbisë dhe rruga e saj drejt Evropës do të përfundojë me anëtarësimin e saj të plotë në BRICS”, citohet të ketë thënë Vulini si reagim ndaj deklaratave të Stanos, i cili kujtoi se Serbia duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e raporteve me Kosovën për t’u lejuar të anëtarësohet në BE.

Vulin ndër të tjera ka falënderuar Kinën për, siç tha, “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe qëndrimin parimor të Pekinit” për mosnjohjen e shtetit të Kosovës.

/GazetaSinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here