Vlerësimi për Adem Demaçin nga foleja e qyqes

0
444

As e para e as e fundit: Më 26 shkurt ishte ditëlindja e Frymëzuesit, Sakrifikuesit, Kuptimit për Liri, Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, të Papërsëritshmit dhe të Amshueshmit Bacë Adem Demaçi që më shumë se 28 vjet, në llogoret e ish – Jugosllavisë kreu në mënyrën më të ndershme detyrën që ia ka caktuar, me të lindur i Madhi Zot, të luftojē për liri të njerëzimit që ishin në robëri, në përgjithësi dhe për lirinë e shqiptarëve, popull i robëruar e që asnjëherë nuk e ndali përpjekjen dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar, pa pyetur për çmimin që duhej paguar dhe e pagoi. Për Bacën burgu nuk ishte vuajtje por ishte detyrë që vullnetarisht e zgjodhi dhe asjëherë nuk u ankua për “fatin e keq” duke e shndërruar në një ecje mësimi dhe lundrim drejt lirisë. Në të njëjtën kohë i kreu të gjitha shkollat, fakultetet dhe akademitë shkencore në kuadër të mundësive sikur që edukoi me atdhetarizëm qindra e dhjetëra mijëra atdhetarë, të dënuar politikë por edhe për vepra të tjera. Nga një familje e varfër materialisht por e pasur shpirtërisht që ajrin, ujin dhe ushqimin e kishin atdhedashurinë, i rritur pa Baba për t’u bërë Baba i të gjithë atdhetarëve, Adem Demaçi nuk kishte asnjë mëdyshje gjatë përcaktimit midis Nënës Nazife dhe Nënës Shqipëri duke u përcaktuar për Nënën e Përjetshme dhe të Përmotshme; Nënën Shqipëri, i bekuar nga Nëna që e rriti në kushte jashtëzakonisht të vështira, Nëna Nazife. Në kohën kur shqiptarët nuk guxonin të deklaroheshin si shqiptarë dhe kur Serbia ua kishte caktuar një atdhe tjetër, shkretëtirat e Anadollit në Turqi, Baca Adem, djalin e vetëm e emëroi Shqiptar kurse vajzën, gjithashtu të vetme, Abetare. Në kohë shumë të re e shkroi romanin kundër vëllavrasjes dhe shpërnguljes për Turqi, “Gjarpijt e Gjakut” që u bë abetare dhe Akademi për të gjithë ata që e gjakonin lirinë dhe bashkimin kombëtar, si qëllim dhe kuptim të jetës.  “Nuk është krim ai që e ngre këmbëzën e krimit por ai që e shtrinë dorën e pajtimit..” Çka mund t’i shtohet kësaj filozofie njerëzore, kombëtare, politike dhe morale sot, pas 100 vjetëve, 1000 e më shumë vjetëve, sa të ketë popuj, histori dhe përjetësi! Te ata me mendësi dhe kod gjenetik të përshtatur që robërinë ta konsiderojnë si liri për shkak të robërisë së gjatë por edhe përcaktimit personal, familjarë dhe shoqërorë, si zgjedhje e tyre shkaku i përfitimeve, në radhë të parë materiale por edhe mundësi të mbijetojnë dhe jetojnë në një “liri” të pajetueshme, personaliteti, si ai i Bacës Adem Demaçi, si rast unik dhe i papërsëritshën, në këtë botë dhe në botën e amshueshme, megjithatë janë një zile për ndërgjegjen e tyre të kalibruar sipas rregullave të robëruesit. Po ç’më shtyri të shkruaj pikërisht tani dhe për këtë temë?


Të mallëkuarit nga ligështitë e mendjes së krisur:

Pikërisht kur përfundonin pregatitjet për festimin e ditëlindjes së Bacës Adem Demaçi që ishte marrë përsipër nga Nuhi Ahmeti, ish- i burgosur politik, shok i pandarë deri në kalim në amshim të Bacës e që një pjesë të jetës e kishte kaluar në llogoret e ish – Jugosllavisë me Bacën, që besoj se nuk e ndërron me asgjë sikur edhe ne të tjerët që e patëm të njëjtin fat, një shok imi shumë i mirë më dërgoi një shkrim me shumë mllef dhe me koment  “shihe një idiot me emrin Pal Shtufi, sigurisht mercenar nga Shqipëria çka ka shkruar për Bacën Adem…”. E lexova shpejt dhe u pajtova pjesërisht me shokun sa i përket cilësimt ndërsa jo edhe gjeografisë për faktin se nuk ishte nga Shqipëria por nga rrethi i Prizrenit, kryeqytetit kulturor dhe historik i shqiptarëve, ku, aty – këtu gjendet edhe ndonjë horr, sikur edhe në vendet e tjera. Këtë shokun tim e ka mashtruar emri dhe mbiemri i këtij Pal Shtufi ndërsa unë pata lexuar më heret për të për madhërimin që i bënte presidentit të nënshtrimit dhe mënyres shpotitëse dhe përbuzëse ndaj luftës së të Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Në paraqitjet mediatike veten e portretizonte si veprimtar të madh të çështjes kombëtare që nga viti 1980 kur qenka arrestuar si marksist – leninist, pa u dorëzuar asnjëherë përkundër rreziqeve të mëdha për jetën dhe sigurinë e Palit, tash të konvertuar si Apostuli Pal i çështjes kombëtare, Apostuli Pal Shtufi.  Madje, sipas historiografëve të shquar, kronistëve të kohës dhe burimeve të besuara arkivore, Pal Shtufi luftën më të madhe kundër regjimit të Serbisë e ka bërë në Zvicer gjatë periudhës 30 vjeçe, si ikanak, dhe se lufta e UÇK- së është e papërfillshme me luftën e Palit. Frymzimin, në vend që ta kishte marrë nga babai i tij, një atdhetar dhe nacionalist i bindur e që do ta bënte krenar, e mori nga presidenti historik i nënshtrimit, të cilin në një shkrim, me pak fjalë dhe shumë ligështi mundohet ta përballē me Vullkanin e Çështjes Kombëtare, Bacën Adem Demaçi duke e fyer në mënyrën më të poshtër të mundshme. Nuk më ka rënë në jetën time që brenda një shkrimi, as të një faqeje të ketë aq fyerje, aq të pavërteta, aq poshtërime ndaj një Vlere Njerëzore dhe Kombëtare, të përmasave globale siç është Ylli i Pashuar Ndriçues, Baca Adem Demaçi. Këso sulmesh nuk pati bërë as Eskadroni Politik për Pushkatim Njerëzor, Kombëtar dhe Politik që e kishte formuar LDK – ë, pjesa jugosllave dhe proserbe, që u aktivizua ne vitet e 90 -ta, pasi u lirua Baca Adem Demaçi nga dënimi i tretë prej më shumë se 28 vjetëve, me denoncimin dhe dëshminë e disave që e vizituan Bacën pas daljes nga burgu apo me spiunllëqet dhe dëshminë e parardhësve biologjikë të këtyre që e vizituan Bacën e që ishin pjesë e organizatës ilegale që udhëhiqej nga Baca Adem. Për t’i kursyer fëmijët e tyre, Baca Adem nuk doli botërisht por se la dëshmi të mjaftueshme.


Po çka tha Pali në shkrimin DEMAÇI vs RUGOVA:
Për ta krijuar një mbulesë morale për një shkrim të poshtër, Pal Shtufi tha se e paska vizituar, bashkë me një mercenar tipik dhe klasik Bacën pasi qenka liruar nga burgu dhe se pas disa vizitave njohëse apo skanimi të porositur, krejt çka mbeti ishte respekti për patriotizmin dhe sakrificën e gjatë të tij, asgjë tjetër. E kush e thotë këtë, një ikanak dhe një frikacak, i frymëzuar nga presidenti historik i nënshtrimit dhe i ndikuar nga denoncuesit dhe dëshmitarët në proceset gjyqësore kundër Bacës Adem dhe patriotëve të tjerë. Një numër i vizitorëve që vizituan Bacën në atë kohë ishin si “Posta e Porositur” e shkruar nga një urryes i madh i Bacës e që nuk i mjaftonte të shkruaj kundër Bacës por para kamerave thoshte se: “se më mirë ka qenë që Adem  Demaçi të vdiste në burg..që shpërfaqte edhe dëshirën e krahut proserb dhe projugosllav të LDK-së..”. Shpresoj se Pal Shtrumfi të mos jetë i tillë.


Demaçi intelektual sipas Pal Shtumfit: Në përpjekje për ta ulur, deri në përbuzje intelektualisht Bacën Adem Demaçi, cilësimi i Palit është se niveli intelektual i Bacës është i një niveli të mësuesit të kohës për faktin se paska qenë i izoluar 28 vite dhe se në vitet e 90 – ta paska qenë 30 vjet pas te tjerëve duke mos treguar kush janë të tjerët apo duke nënkuptuar me këtë presidentin historik të nënshtrimit dhe shpurën proserbe dhe projugosllave që e shoqëronin, deri në ikjen në shtetet perëndimore. Pal Shtrumfi thotë, në denoncimin e ulët ndaj Bacës se mosnjohja e gjuhëve të huaja, fryma politike e asaj Evrope dhe mangësitë intelektuale e gjymtonin Demaçin edhe si iluminist duke vazhduar se Pali lehtësisht paska vlerësuar nivelin intelektual të Bacës për të vazhduar se ky nivel qenka i një politikani të rëndomtë të kohës. Me Rugovën, thotë Pali, as që mund të krahasohej. E këtu edhe unë pajtohem me Palin; vetëm një i marrë, qëllimkeq, ndryshk njerëzor dhe moral i vë në një rrafsh Frymëzimin për Liri, Vetmohuesin për të Mirën e Përgjithshme që tërë jetën ia ka kushtuar luftës për liri me një udhëheqës shpirtëror të Palit që nuk ka qenë në gjendje ta prishë as tymin e duhanit  e lëre më diçka më tepër si psh. largimi i maces nga përsheshi. Adem Demaçi ka hyrë në burg si intelektual i formuar dhe një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Edhe të mos bënte asgjë tjetër në jetë, vet fakti se ishte autor i “Gjarpijve të Gjakut” në kohën kur Gjarpijt e Gjakut nuk ishin vetëm okupatorët serbë dhe jugosllavë por edhe shumë shqiptarë që u shërbenin këtyre Gjarprinjve, si hardhuca dhe hijena e që edhe sot i gëzojnë gjitha të mirat, qoftë si mumie biologjike apo në trajtën e zgjatimeve politike te pasardhësve të tyre e që janë vendosur në të gjitha nivelet e pushtetit, mjafton që Adem Demaçi ta fitojë përjetësinë.  Gjarpijt e Gjakut ishin kushtrimi, himni, flamuri, alfabeti, oda dhe Akademia Kombëtare dhe Politike për të gjithë ata patriotë që e donin lirinë. Këtë e kishte shkruar mësuesi i kohës, intelektuali i nivelit nën mesatar dhe i gjymtuari intelektual sipas skanuesit të potencialit intelektual i shtytur nga kurreshtja shkencore apo asaj UDB- ore, në personalitetin e hulumtuesit – hetuesit, Pal Shtrumfit. Nëse dikush bëhet intelektual vetëm se ka qenë kursist i Kumrovcit apo që ka fituar tituj nga regjimi për t’i shërbyer regjimit dhe kundër popullit që i takon, Adem Demaçi nuk i takon kësaj kotille intelektuale. Ti, pal Shtrumfi as nuk mund të imagjinosh se sa ka lexuar Adem Demaçi, literaturë, romane, nga politika, ekonomia, filozofia etj. Bibliotekat e burgjeve në Jugosllavi kanë qenë mirë të furnizuara dhe njohësit e gjuhëve sllave kanë mundur të lexojnë thuaja të gjithë autorët më të njohur të botës të të gjitha profileve. Adem Demaçi e ka njohur mirë gjuhën serbokroate, turke, ka komunikuar dhe shkruar në gjuhën angleze sikur që ka komunikuar mjaftueshëm në gjuhën frenge. Kurse, këta intlektualët tuaj që paskan qenë 30 vjet para Bacës Adem janë shquar si denoncues, dëshmitarë, spiuj dhe terrorizues të popullit që i kanë takuar.

Demaçi kishte mendësi marksiste:  Formimi politik i Bacës Adem nuk kishte as mendësi e as përmbajtje marksiste por qindpërqind kombëtare që vërehet në krijimtarinë e tij letrare, intervistat e shumta, esetë politike dhe paraqitjet tjera publike. Ishte çështje tjetër se shqiptarët, pavarësisht përcaktimit politik i kishin vetëm dy mundësi; për Josip Broz Titon ose për Enver Hoxhën. Titon e njihnim si gjakpirës dhe kriminel ndërsa Enver Hoxhën nga fjalimet. Në aspektet tjera për ne ishte i panjohur. Po ishe apo nuk ishe me Enver Hoxhën, gjykatat serbe dhe jugosllave automatikisht na dënonin si enveristë shkaku se dashurinë tonë për Shqipërinë e identifikonin me Enver Hoxhën. Dy herë jam dënuar politikisht 3 + 12 vjet dhe më kanë cilësuar si enveristë ndonëse kurrë nuk kam qenë enveristë por, thjesht një nacionalist i bindur dhe nuk kam qenë urryes i popujve tjerë. Për aq kohë sa kam qenë bashkë me Bacën Adem në llogorin në Stara Gradishkë (Kroaci) asnjëherë nuk e kam parë të ketë lexuar ndonjë literature leniniste apo komuniste dhe kurrë nuk e kam dëgjuar të ketë kënduar këngë apo marshe komuniste por gjithmonë këndonte për Ded Gjon Lulin, Mehmet Shpendin, Kamer Loshin sikur edhe këngë të vjetra qytetare dhe polifonike nga jugu. Serenatat korçare ishin shpirti i muzikës për Bacën ndërsa ka qenë njohës dhe adhurues i jashtëzakonshëm i muzikës klasike.  Bacës Adem nuk i ka interesuar aspak ideologjia. Veprat e mëdha në fushën e artit, letërsisë, kultures, politikës, filozofisë, mjekësisë, astronomisë, gjeografisë dhe të tjera nuk janë krijuar nga intelektualë me tru të formatizuar për t’shërbyer okupatorit, sikur këta të Palit por ata që edhe përmes këtyre veprimeve kanë kontribuar për të mirën e njerëzimit dhe popullit që i takojnë, dhe, për ironi kryesisht sa ishin në izolim, syrgjynosje, dëbim nga vendlindja apo të arrestuar, që nga Epikteti, Seneka, Ciceroni, Sokrati, Platoni, Dostojevski, Sartri, Ezra Paund, Orhan Pamuk, Sallman Ruzhdi, Makiaveli, Dante Aligeri, Françesko Petrarka, mos  a zgjasë listën, e deri te kolosët e mendimit filozofik dhe kombëtar shqiptar, Ukshin Hoti dhe Adem Demaçi. Ky i yti nuk bënë pjesë asgjëkundi ndonëse kishte aktivitet të bujshëm në proceset e diferencimit politik.

Demaçi, politikisht i lajthitur:. Me këtë “diagnozë“ prej një ndryshku njërëzor dhe moral, Pal Shtufi, e përmbyllë qarkun e parë, sigurisht edhe jo të fundit të urrejtjes patologjike dhe përpjekjes për zhvleftësim të veprimtarisë mbi 60 vjeçare kombëtare, politike dhe letrare të Bacës Adem, për ta hymnizuar Rugovën, një oportunist, i pavendosur dhe kundërshtar i çdo nisme për ta dinamizur lëvizjen kombëtare dhe politike të shqiptarëve dhe penguesi më i madh i luftës çlirimtare, deri në kohën kur, përmes Beogradit, në përcjellje të popave të “Shën Exhidios“ u strehua në Itali ku i garantohej siguria personale, familjare dhe shpurës që e përcillte e që ishte edhe qëllimi i tij. Herë e cilëson se ka mendësi marksiste, herë se është nacionalist i tërbuar dhe se çdo politikë e tij ishte e lajthitur duke e akuzuar thuaja si dëmtuesin më të madh të kombit dhe se asnjë këshillë politike nuk i paska qëndruar kohës. Harron qëndrimin dhe fjalët e Bacës Adem në gjykimin e parë që qindpërqind e parashikoi shkatërrimin e jugosllavisë, fjalimin e tij para Parlamentit Evropian gjatë ndarjes së Çmimit Saharov kur saktësisht parashikoi zhvillimet në Kosovë dhe Jugosllavi me një luftë të pashmangshme. Po të njëjtin parashikim i kishte thënë Sekretarit Bejker në Beograd ku ishte bashkë me presidentin e nënshtrimit dhe alter egon e Albinit, Veton Surroi. Ishte antologjik, nga këndi i parashikimit të zhvillimit të ngjarjeve gjatë duelit televiziv me Vuk Drashkoviqin. Parashikimet i kishte shumë të sakta edhe në takimet me Gellbart, Hollbruk, Olbrajt dhe Robin Kuk në Shkup. Dhe shumë të tjera. Të gjitha të zezat që iu kanë ndodhur shqiptarëve, Pal Shtrumfi ia adreson sakrifikuesit dhe luftëtarit më të bindur dhe maratonik për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, të Pavdekshmit dhe të Papërsësritshmit, Bacë Adem  Demaçi. Ky far Shtrumfi thotë se Rugova ishte fati ynë i mirë dhe fat historik. Ia paftë hajrin, Ibrahim Rugovës para Kuvendit të Kosovës dhe Abraham Rugovës para Katedrales në Prishtinë. Ne, shokët, miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Bacës Adem jemi krenar që kemi jetuar në kohën e Bacës sikur që do të jenë krenarë pasardhësit tanë me kujtimin dhe veprën e Adem Demaçit, që do t’i qëndrojë çdo kohe. Juve ju, mbeten kujtimet për Rugovën në bronz dhe në gurë, si përmendore që do i kapë ndryshku dhe do të shemben kur të hapen dosjet e asaj kohe. Deri atëherë, ju që e urreni Bacën Adem dhe e hyjnizoni presidentin tuaj që, në fakt asnjëherë nuk e ka pasur faturën institucionale të presidentit por ka vepruar me profaturë sepse Kosova nuk kishte status të definuar dhe të pranuar politik, mund të merreni me veprat madhore politike të filozofisë rugoviane siç ishin, diferencimet politike që ua bënte kolegëve,  duke filluar me Akademik Rexhep Qosen, shkrimet plotë dashuri dhe pasion  për Josip Broz Titon dhe vulën e filozofisë politike rugoviane, apo himin politik në formë të një vjershe të shkurtër të quajtur Titos (Prej fushash e malesh, deri në bregdet ..,Të përshëndesim: Na qofsh’ me jetë! Tito – mësues, Tito – hero! Kanga për ty, po ndihet kudo). Në atë kohë, kur presidenti juaj shkruante këtë filozofi rugoviane, Adem Demaçi dhe shumë patriotë të tjerë ishte dhe ishin në llogoret e ish – Jugosllavisë, në kushte dhe rrethana nën çdo dinjitet njerëzor por se nuk u dorëzuan e as nuk u ligështuan asnjëherë! Edhe njeriu më i poshtër, më i ligë dhe më i ulët i vendos veti disa kufinj apo standarde të ligësisë dhe poshtërsisë nën të cilat nuk lëshohet. Në rastin e Bacës Adem, në përpjekje për ta diskredituar ulët e më ulët, Pal Shtufi i ka shlyer të gjithë kufinjtë, nuk ka njësi matëse që e mate ligësin e këtij injoranti dhe matrapazi.

Si përfundim, se si ishte trajtuar Baca Adem Demaçi, sa ishte në burg, sa ishte në liri, ditën kur kaloi në përjetësi dhe tani nuk keni përshkrim më të mirë se që e bëri Arbër Ahmeti më 26 korrik 2022 në Rikujtim “Popullit“! (Në katër vjetorin e përjetësimit të kolosit të rezistencës dhe çlirimit kombëtar, i propozoj popullit tonë të krijojë traditen e përvitshme të ngujimit në shtëpi në këtë ditë dhe të mos dalë fare jashtë saj. Kjo mbyllje le ta simbolizon turpin që i ka ra shoqërisë sonë për trajtimin, injorimin, mohimin, e kontributit dhe shpifjet që i kanë hedhur ndaj Bacës Adem prej kohës së burgut e deri ditën që ndërroi jetë. Kjo ditë e mbylljes nga turpi, le të bëhet ditë e reflektimit që atë përbuzje dhe baltosje që tentoi me i’ia ba Bacit, të mos i’a bëj edhe të tjerëve që kontribuan e sakrifikuan të gjitha për çlirimin e vendit). Pal Shtufi, ky shkrim i shkëlqyeshëm vlenë për njerëzit që kanë turp prandaj nuk ke nevojë të ngujohesh sepse je Nëna e Paturpësisë!

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here