Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një shtëpi në rrugën “Fetah Sylejmani” në Prizren, ku hajnat kanë vjedhur gjësende në vlerë prej mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur të gjitha stolitë e artit që kanë gjetur dhe që kapin vlerën e rreth 5 mijë eurove.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, të dyshuarit kanë depërtuar brenda shtëpisë me forcë, duke thyer dritaret. Kjo u zbulua përmes kamerave të sigurisë, pamjet e të cilave janë deponuar si dëshmi.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.