Bayern Munichu ka vendosur t’i ndajë rrugët me Tomas Tuchelin në fund të këtij sezoni.
Sipas gazetarit Florian Plettenberg nga “Sky Germany”, gjiganti bavarez ka arritur marrëveshje me trajnerin gjerman për t’u ndarë gjatë verës që vjen, përcjell “Gazeta Express”.
Kampioni aktual gjerman pritet ta bëjë zyrtar vendimin në ditët në vazhdim para se të nisë kërkimi i tyre për trajner të ri.
Trajneri aktual i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso dhe ai i Liverpoolit, Jurgen Klopp janë në mesin e kandidatëve për t’u bërë trajnerë në “Allianz Arena”.
Bayerni po e kalon një sezon nën nivelin e asaj që jemi mësuar ta shohim dhe që do të donin bavarezët.
Ata i pësuan dy humbje radhazi së fundmi, nga Leverkuseni në Bundesligë, ku iu zbehën gjasat për titull, dhe nga Lazio në lojën e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.