Vazhdojnë përgatitjet për edicionin e ri të “DokuFestit”

0
266

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ishte i ftuar në emisionin “Nëpër Film” ku foli për përgatitjet rreth edicionit të sivjetmë të festivalit, programin e shfaqjes së filmave online në ueb-faqen e “DokuFestit”, sukseset e fundit të kinematografisë kosovare dhe të tjerë.

“Është hera e parë që bëmë ‘livestream’ nga ueb-faqja e ‘DokuFestit’ dhe platforma Vimeo me të cilën e kemi një bashkëpunim të gjatë, por këtë vit e kemi edhe një kontratë një vjeçare për shfrytëzim edhe më vonë. Në fakt ne kemi bërë transmetime online të filmave edhe gjatë gjithë festivalit, por në tjetër platformë dhe me ndërmjetësues që vinin nga vende tjera, kurse këtë të fundit e kemi realizuar krejtësisht vet”.

Fabrika Digjitale e Filmit me rastin e Pavarësisë së Kosovës e kuroi një ngjarje speciale të një programi ‘Livestream’ me tre filma të që sollën tregime nga periudha të ndryshme për Kosovën. Por, Nurkollari tregoi se prioriteti i tyre me këtë program është ringjallja e kinemasë “DokuKino”.

“Risi e cila para disa vjetëve dukej si e paarritur apo vështirë e realizuar në fakt bëhet jo me shumë mund por me vullnet, kështu që besoj se do ta përsërisim këtë edhe me filmat tjerë apo në forma tjera. Për ne në këto momente më e rëndësishme është rikthimi ose ringjallja e ‘DokuKinos’, pasi që për shkak të situatës së krijuar nga pandemia kjo kinema për një kohë të gjatë ka qenë jashtë funksionit. Dalë nga dalë është duke u rikthyer me një formë tjetër, me shfaqjen e filmave gratis, që është dallimi kryesor. Aktualisht filmat shfaqen dy herë në javë por pas disa muajve mund edhe të shpeshtohet”.

Ndër të tjera, drejtori artistik i “DokuFestit” zbuloi se interesimi i të rinjve për t’u bërë pjesë e projekteve të ndryshme të organizuara në kuadër të festivalit, vazhdon të jetë shumë i madh.

“Mund të them që interesimi për pjesëmarrje është i jashtëzakonshëm. Ne natyrisht se nuk mund t’i pranojmë të gjithë të rinjtë që konkurrojnë për programet tona. Por, këtë vit në kampin e parë i kemi pranuar rreth 15 nga 170 aplikues. Do ta shohim se si do të shkojë kampi i dytë. E kemi edhe një bashkëpunim me një festival tjetër në Beograd, edhe nga aty duhet të dalin edhe një numër i vogël i filmave që do të prodhohen bashkërisht, por mund të them se interesimi është tejet i madh. Mendoj se gjithë suksesi i filmave nga Kosova nëpër botë, e ka rritur interesimin e të rinjve për kinematografinë edhe më shumë”.

Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e festivalit më të veçantë në vend e rajon dhe sipas Nurkollarit, qëllimi i organizatorëve është që sivjet kjo ngjarje të kthehet në formatin e rregullt, sikur para pandemisë.

“Ne jemi duke u bërë gati për një edicion të rregullt, ndoshta me disa elemente të vogla online, por shumica e ngjarjeve do të jenë sikur që kanë qenë, me një numër të konsiderueshëm të mysafirëve sepse tashmë kemi indikacione se deri atëherë do të udhëtohet me lehtë. Edhe interesimi i njerëzve për ta ndjekur festivalit është mjaft i mirë”.

të tjera, Nurkollari foli edhe për sukseset e fundit të filmave kosovarë nëpër festivale të mëdha, përfshirë këtu edhe projektin e shumëshpërblyer të regjisorit Samir Karahoda, “Pa Vend”.

“Samiri e ka një bagazh të eksperiencës të hatashme edhe një vullnet dhe sy të jashtëzakonshëm për ta rrëfyer tregimin, dhe mendoj se këtu e ka arritur një kulm të suksesit edhe pse unë e di që ai ka me mbërri edhe më shumë në të ardhmen. Por, në këtë moment mendoj se e ka realizuar një film i cili është aq modern, ndryshe nga projektet tjera dhe njëkohësisht i guximshëm për ta rrëfyer një histori me njerëz që nuk janë aktorë, dhe një tregim i cili i përmbledh 15 vjet në 15 minuta. Andaj mendoj se ai është një regjisor i jashtëzakonshëm dhe nuk habitem për sukseset e tij si dhe mendoj se do të ketë edhe më shumë suksese tutje”.

Këtë vit “DokuFesti” e shënon edicionin e 21-të. Festivali do të mbahet nga 5 deri më 13 gusht në Prizren.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here