vendosur me prezencë fikse mbi Urën e Ibrit, KFOR’i ka insistuar në vazhdimësi javëve të fundit se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të zgjidhet në dialogun e Brukselit. Lajçak javën e kaluar la të kuptohet në Prishtinë se nuk do të do ketë diskutime në Bruksel dhe se ajo duhet të hapet në koordinim me parterët për çka i reaguan me nervozë në Beograd. Kryenegociatori Besnik Bislimi ripërsëriti se ura është trajtuar në Bruksel ndërsa citoi raportin e KE që flet për hapje pa vonesa. Por, për heqjen e temës së urës nga dialogu, Presidentja Osmani tha se është meritore vetë.
Gazeta Express
Në fillim të gushtit, Qeveria e Kosovës nisi përpjekjet e para për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve. Synimet e kryeministrit Kurti u ndeshën me ato të vendeve aleate që s’u pajtuan se është koha e duhur. BE, vendet e QUINT dhe KFOR’i u deklaruan se kjo gjë duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, një gjë që u kundërshtua nga Kosova.
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë përfundimisht por, Presidentja Osmani tha se është hequr nga dialogu, Lajçak foli për koordinim me partnerët, ndërsa Beogradi reagoi duke kërkuar llogari nga sllovaku.
Presidentja Vjosa Osmani parimisht pajtohet me kryeministrin Albin Kurti se hapja e Urës së Ibrit duhet të bëhet, por jo në krye më vete. Por, edhe Osmani e pati një mospajtim me ndërkombëtarët – ajo kundërshtoi shtrimin e kësaj çështje në Bruksel me Serbinë dhe së fundi ajo mori disa merita se insistimi i saj mundi atë të aleatëve.
“Tash më nuk ka insistim që kjo çështje të shkojë në dialog me Serbinë për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç që të bëhet dëm i jashtëzakonshëm nëse kjo dialogohet me Serbinë. Serbia s’ka çka pyetet për këtë punë, por me aleatët tonë, unë nuk e kuptoj pse gjithë ky mllef nga të qenit bashkë rreth një tavoline. Po a s’po kërkojmë ne pikërisht që të bashkohemi në këto tavolina euroatlantike?”, tha Osmani në një intervistë për Kallxo.
Osmani tha se beson që edhe në 2024-ën mund të ndodhë hapja e urës dhe tha se “nuk ka kërkesë që ta mbajmë urën të mbyllur gjithmonë, por ka kërkesë që momentin ta dakordojmë”.
Deklarata e Osmanit e pasoi atë të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili gjatë vizitës së tij në Prishtinë nënkuptoi që tema e Urës nuk do të jetë pjesë e agjendës së takimit të caktuar. Pasi tha se ka folur me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në detaje për temat që do të flasin me kryenegociatorin serb në Bruksel, Lajçak tha se në takim për “një sërë çështjesh”, duke përfshirë edhe Urën e Ibrit.
Ai tha se hapja duhet të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. “Ne po ashtu diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullim të automjeteve. Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj”, tha Lajçak.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi kishte theksuar qëndrimin e Kosovës se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Europian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme, siç kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit në njoftim. Këto deklarata i ranë në vesh Petar Petkoviqit në Beograd, i cili bëri bashkë deklaratën e Lajçakut kur kishte thënë se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në Bruksel dhe deklaratën e tij para gazetarëve në Prishtinë.
Petkoviq u mundua ta arsyetojë mungesën e progresit në dialog me këtë pretendim.
“Çfarë ka ndryshuar në pozicionin e Miroslav Lajçak për urën që nga gushti? BE-ja tha se hapja e urës mund të zgjidhet vetëm me dialog, gjë që tregohet nga ‘tweet’ i Lajçakut. Sot dëgjojmë prej tij se kjo çështje varet vetëm nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Lajçak po e zhvendos marrëveshjen e urës nga dialogu dhe vetëm deri dje këtë çështje e kishte shpallë si temë kryesore të diskutimeve në Bruksel. Pse?”.
Petkoviq tha se serbët, për të cilët pretendoi se janë ata që kanë interesa vitale për statusin e urës së Ibrit dhe Beogradi si palë në negociata “janë të përjashtuar në mënyrë të njëanshme dhe Prishtina e QUINT janë përfshirë për të diskutuar urën”.
“Një shkelje e tillë e parimeve ka shkuar shumë larg. Dhe pastaj ju pyesni pse nuk ka përparim në dialog”.
Lajçak sot ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, i cili më pas doli me një postim në Instagram ku ankua edhe për BE-në edhe për QUINT. Përveç Lajçakut, ai takoi edhe ambasadorin e SHBA-së, Christopher Hill.
Ai shfrytëzoi një arrestim të katër të rinjve serbë që ishin ndaluar nga policia pasi nën ndikim të alkoolit kishin ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut. “Jemi në një situatë kur serbët nuk mund të bëjnë asgjë që mund të bëjë çdokush në botën moderne dhe e gjithë kjo falë vendimeve të paligjshme e kriminale të Albin Kurtit dhe me gjithë këtë nga Europa e nga QUINT vijnë vetëm fjalë dënimi asgjë nuk shihet në veprim. Ne do t’ju përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për të, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe pogromin e popullatës serbe”, pretendoi Vuçiq.