Artisti i njohur shqiptar, Stresi, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio, ku ka folur për jetën personale, karrierën dhe projektet e reja muzikore.
Mes rrëfimeve të sinqerta, reperi u ndal edhe te raporti i tij me ish-bashkëshorten, Keisin, me të cilën është përfolur së fundmi pas paraqitjes së saj në videoklipin “Sa t’kam dasht”, pjesë e albumit të tij “Archimed”.
Stresi ka treguar se takimi me Keisin ishte krejt i papritur dhe emocional, duke rikthyer kujtimet e një historie të vjetër që duket se ka lënë ende gjurmë.
“Përpara kemi pasur edhe një cover të dy bashkë në 2018. Nuk është se kemi patur kontakte sepse ishte një kohë diku tek 6 vite, mund të flisnim një herë në dy vite kot dhe kaq. Unë kur nxorra albumin më erdhi një ide e këngës dhe e bëra në inspirim e sipër,” tregoi ai.
Sipas tij, Keisi ndodhej në Shqipëri për të takuar familjarët dhe takimi mes tyre ndodhi në ditën e fundit të qëndrimit të saj.
“E marr vesh në ditën e fundit që ajo do të ikte, kishte postuar një Story, po nga ato të vjetrat dhe unë që jam numër një për këto punë e ‘hëngra’,” u shpreh me humor artisti.
Rikthimi i kontaktit çoi në një ftesë për të marrë pjesë në projektin më të fundit, të cilën Keisi e pranoi menjëherë.
“E takoj në momentin e fundit që do të ikte atë ditë. U takuam shpejt ishte rreth 15 minuta. Unë i hutuar ajo e hutuar, unë nuk flisja ajo nuk fliste. Shtatë vite, normalisht emocionet. Pastaj e ftova që të merrte pjesë në albumin tim edhe i them që të bëjmë një cover si dikur por sërish me shumë dashuri si atëherë, tani edhe më të rritur,” rrëfeu Stresi.
Ai shtoi se pas realizimit të coverit dhe klipit, bashkëpunimi ishte i suksesshëm dhe përplot emocione.
“I kërkova që të më suportonte në një formë kujtimi shumë të bukur të albumit. Nuk hezitoi, pranoi dhe erdhi posaçërisht për projektet e mia. Bëmë coverin, më pas pritëm fotot ‘uau’ më pas i publikuam, dolën shumë bukur. Publikuam klipin më pas dhe ai kishte një përkushtim shumë të madh dhe pastaj iku në punën e saj,” përfundoi ai.