Tri ditë para takimit me Vuçiqin, Kurti ia konfirmon Cholletit qëndrimin pro propozimit evropian

0
167

Kryeministri i Republikës së  Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të  rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.

Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare. Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Gjatë kësaj bisede, Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas. 

Propozimi i Bashkimit Evropian apo siç njihet plani franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk është bërë publik zyrtarisht. Por në një draft, pjesë të të cilit kanë publikuar mediet, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, Kosovë-Serbi, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë.

Ndër këto të drejta parashihet respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë, pa specifikuar qartë se për çfarë aranzhimi bëhet fjalë./GS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here