Transferimi i Mbappes/ Jo vetëm një dëshirë, por edhe një nevojë për Realin

0
298

Real Madrid prej kohësh ka shprehur hapur dëshirën për të transferuar në “Santiago Bernabeu” Kylian Mbappenë, pasi francezi i ka të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur “Los Blancos”. Tani nuk është më një lajm, por madrilenët janë gjithmonë e më afër sulmuesit të Paris Saint-Germain dhe kjo ka shumë arsye, jo vetëm për faktin se Mbappe është një nga lojtarët më të mirë në qarkullim për momentin.

Që nga largimi i Cristiano Ronaldos në verën e vitit 2018, Karim Benzema është njeriu lider i skuadrës madrilene sa i përket golave të shënuar. Nga largimi i portugezit, Benzema ka shënuar 119 gola në të gjitha kompeticionet me Real Madrid. Në takimin e fundit, ndaj Barcelonës, francezi nuk ishte i disponueshëm dhe madrilenët jo vetëm u mundën thellë, por nuk gjetën as rrugën e rrjetës. Në këto momente është e drejtë për të pyetur, nëse nuk luan Benzema, kush do të marrë përsipër që të shënojë?

Statistikat tradhtojnë madrilenët, ose me saktë organikën e skuadrës, pasi që nga largimi i Ronaldos, te Reali ka munguar një emër me peshë që të ndihmojë francezin Benzema, apo ta zëvendësojë atë. Me përjashtim të këtij sezoni, me Vinicius, i cili deri tani ka treguar një formë të mirë, me 17 gola dhe 14 asiste, Reali ka vuajtur mungesën e një partneri ideal të Benzema.

Alternativat nuk kanë munguar, duke filluar me Bale, Asensio, Isco, Jovic, Hazard, Diaz apo Rodrygo, por askush nuk ka arritur të gjejë ritmin e francezit 34-vjeçar. Asnjëri prej tyre nuk ishte në lartësinë e duhur, për të mos folur për belgun Hazard, i cili deri tani është një dështim total. Pavarësisht emrave në sulm, golat kanë ardhur me shumicë edhe nga repartet e tjera, me Sergio Ramos, deri sezonin e kaluar, pasi mbrojtësi mbylli aventurën me Realin. Gjithashtu Modric, Casemiro dhe Kroos ishin përcaktues me golat e tyre, por asnjëherë në linjë të njëjtë me Benzemanë. Francezi, jo vetëm ka vuajtur mungesën e mbështetjes, por gjithashtu ka parë të shuhen të gjithë lojtarët që pritej të ishin ndihmë për të.

Në këtë sezon, partneriteti Vinicius-Benzema, solli një produktivitet të madh, me Realin që kryeson bindshëm kampionatin spanjoll, por ajo që drejtuesit i vret më shumë është fakti, se pa Benzeman, janë një ekip i thjeshtë, pasi francezi ka treguar në këtë sezon rëndësinë e tij, duke eliminuar i vetëm PSG-në dhe për momentin kryeson i vetëm listën e golashënuesve, me 22 gola, pa harruar faktin se ka dhuruar edhe 11 asiste, si asnjë lojtar apo sulmues tjetër.

Fakti që Benzema po kalon një sezon ëndrrash, nuk i jep qetësi drejtuesve për të ardhmen dhe mosha e francezit është një tjetër faktor, por mbi të gjitha, klubi e ka kuptuar se sulmi funksionon shumë pak pa të, ndaj transferimi i Mbappes në Madrid është i domosdoshëm./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here