Një dorë e bukur, e pastër dhe me thonj të rregulluar është gjithmonë e bukur, por jo gjithmonë e shëndetshme.
Kështu ka paralajmëruar një biolog, i cili thotë se thonjtë e gjatë siç i ka bërë trend Cardi B dhe Billie Eilish apo motrat Kardashian, mund të strehojnë dhjetëra lloje bakteresh dhe kërpudhash.
Dr. Jeffrey Kaplan nga Universiteti Amerikan në Uashington D.C, tha se thonjtë “rrisin probabilitetin e bartjes së mikroorganizmave, gjë që e bën më të vështirë dekontaminimin”.
“Studimet kanë gjetur 32 baktere të ndryshme dhe 28 kërpudha të ndryshme poshtë thonjve”, pohoi Kaplan. “Sa më i gjatë të jetë thoi, aq më shumë sipërfaqe ka për ngjitjen e mikroorganizmave”.
Bakteret dhe kërpudhat janë të zakonshme në thonj, pasi njerëzit i marrin ato përmes prekjes së objekteve të ndryshme.
Këto baktere të zakonshme janë “pothuajse gjithmonë të padëmshme, por kur ndodhin infeksione mund të shkaktohet ënjtje, dhimbje dhe trashje e thoit”.
Studimet kanë gjetur Steph aureus rezistent ndaj antibiotikëve, një shkak i zakonshëm i infeksioneve të lëkurës, i vendosur nën thonjtë më të gjatë. Mjeku pohoi se thonjtë e gjatë artificialë, natyralë, me xhel dhe akrilik paraqesin rrezik për të mbledhur baktere dhe kërpudha shtesë.
“Ju mund t’i transmetoni bakteret e thonjve në sistemin tuaj duke gërvishtur, kafshuar thonjtë, prekjen e hundës dhe thithjen e gishtave”. Megjithëse, Kaplan tha se skenari më i keq do t’i linte thonjtë tuaj të shpërfytyruar, nëse bakteret ose kërpudhat do të shkaktonin një infeksion.
Dr. Kaplan nënvizoi se kjo është arsyeja pse shumica e punonjësve të kujdesit shëndetësor u kërkohet të mbajnë thonj të shkurtër “për shkak të rrezikut për transmetimin e sëmundjeve”. Dy infermiere në një spital të Oklahoma City mund të kenë kontribuar në vdekjen e 16 foshnjave në 1997 dhe 1998 për shkak të baktereve të gjetura nën thonjtë e tyre të gjatë, raportoi “The New York Times”.