Ballkani sfidon mbrëmjen e së enjtes në stadiumin Fadil Vokrri, Bate Borisov. Një sfidë kjo e vlefshme për fazën play-off të Conference League teksa skuadra nga Suhareka do të tentojë të kualfikohet në grupet e këtij kompeticioni për të dytin sezon radhazi. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja e kanë treguar edhe në këto kualifikuese europiane se janë një ekip i konsoliduar tashmë dhe i njohin mjaft mirë kualitetet që zotërojnë.
Ballkani do të tentojë të shfrytëzojë në maksimum faktin që ndeshjen e parë e luan në shtëpi, pasi një rezultat pozitiv do të bënte që sfidën e kthimit ta luanin më të qetë. Ambienti në Fadil Vokrri, po ashtu mund të jetë një shtysë më shumë për Ballkanin teksa edhe trajneri Ilir Daja në konferencë për shtyp e theksoi se skuadra e tij nuk përfaqëson vetëm Suharekën, por të gjithë Kosovën dhe një stadium i tejmbushur do të ndikonte edhe më shumë në lojën e ekipit shqiptar.
Kujtojmë se Bate Borisov mbetet një emër i madh, por që vitet e fundit nuk ka të njëjtin shkëlqim, madje edhe ndeshja ndaj Partizanit në turin e parë të Champions League e vërtetoi këtë pavarësisht se në fund ishin bjellorusët ata që kaluan më tej.
Gjithsesi, te Ballkani janë gati dhe kërkojnë të shkruajnë edhe një tjetër kapitull të rëndësishëm të historisë së tyre./SS