Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar dhe ligjor i Kosovës, për të cilin vendi ka rënë dakord në vitin 2013 dhe se është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë Kushtetuese.
Ai ka thënë se BE-ja ka propozuar draftin për Asociacionin, për të cilin tha se kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm që ta nënshkruante dhe ta pranonte në tetor të vitit të kaluar.
Szunyog ka theksuar se ky draft respekton vijat e kuqe të të dyja palëve dhe se drafti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“E pra, përsëri, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës, që nuk është e re. Për themelimin e kësaj tashmë është rënë dakord në vitin 2013. Fjala vjen, kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë Kushtetuese. Pra, nga ky këndvështrim, është obligim ndërkombëtar i Kosovës, por është obligim ligjor vendor që të themelojë Asociacionin. Ne kemi propozuar si Bashkim Evropian një draft. Kuptimi im është se kryeministri Kurti në fakt ishte i gatshëm ta pranonte këtë draft dhe ta nënshkruante tetorin e kaluar. Pra, nga ky këndvështrim, ne besojmë se ky është një draft i mirë, duke respektuar vijat e kuqe të të dyja palëve. Dhe ne besojmë se duhet marrë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese në atë mënyrë që të jetë e pranueshme dhe gjykata mund të vendosë për këtë”, ka thënë ai për EO.
Ambasadori i BE-së në Kosovë ka thënë se të tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparalmetari Glauk Konjufca, kanë premtuar themelimin e Asociacionit, në letrën e përbashkët të nënshkruar nga ta dërguar Këshillit të Evropës.
Për këtë, ai ka thënë se Asociacioni duhet themeluar dhe sa më shpejt të bëhet kjo, sipas tij, aq më mirë do të jetë për përparimin e Kosovës në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së.