Sveçla lajmërohet nga Mitrovica: S’po vërehet ndonjë tendencë për eskalim, Policia është e përgatitur për siguri

0
163

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se ka shkuar në Mitrovicë për ta përcjellë nga afër situatën e sigurisë në veri, kur po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Në një lidhje direkte për televizionin publik, Sveçla tha se nuk ka incidente të raportuara deri më tani dhe se presin që kjo ditë të përfundojë e qetë.

“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla.

Ai po ashtu tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë.

Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.

“Por përndryshe sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”, tha Sveçla.

Ai tha se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.

Lidhur me lokacionet e reja të votimeve, Sveçla tha se bashkë me KQZ-në është vlerësuar “se zgjidhja më e mirë është të gjejmë hapësira alternative”.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur” për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.

Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here