‘Supermani’ i bashkësisë së vogël shqiptare!

0
527

Dialogu i Brukselit i filluar si “teknik”, brenda pak muajsh ishte kthyer në dialog politik për pakicën serbe në Kosovë i cili po vazhdon edhe në ditët e sotme. Procesi i gjatë negociatorë në dialogun e Brukselit është kthyer në gogol për politikanët dhe një enigmë e madhe për Kosovën e lirë, të pavarur dhe njohur ndërkombëtarisht.

Asociacioni gogol i të gjitha qeverive

Në kushtin e dialogut (Asociacionit) një nga një ranë të gjitha qeveritë e Kosovës. Vetëm dy vite pas fillimit të dialogut i pari që ra në këtë kusht ishte ai që e nisi, ish kryeministri Hashim Thaçi, i cili më 19 Prill të të vitit 2013 e nënshkrojë marrëveshjen e parë kornizë për Asociacionin e Komunave Serbe në veri (AKS). Kurse dy javë më pas, ra edhe kryeministri i radhës Isa Mustafa, i cili më 25 Gusht 2015 e nësnhkrojë marrëveshjen e plotë për Asociacionin, i cili edhe pse ra ndesh me 23 Nene të Kushtetutës, nuk u ndëshkua nga drejtësia vendore për veprimtari antishtetërore!

Kësisoji, në një mënyrë apo tjetër të gjithë kryeministrat hynë në vallen e dialogut me përjashtim të kryeministrit Haradinaj, i cili ia kishte lënë në dorë presidentit Thaçi procesin e këtij dialogu.

Megjithatë, pasojat e nënshkrimeve të 2013-s dhe 2015-s mbeten “patate e nxehtë” në duart e të gjithë kryeministrave pasues, të cilët assesi nuk po mund të lirohen nga barra e përgjegjësisë që i ngarkuan pararendësit e tyre!

Edhe përkundër ndryshimit rrënjësorë në qeverisjen e vendit, kushti për Kosovën mbeti i pandryshuar, si obligim ndërkombëtar për ‘Qeverinë e Albin Kurtit’! Obligimi bëhet akoma më i papërballueshëm për faktin se, marrëveshja e 19 Prillit 2013 është ratifikuar edhe në Parlamentin e Kosovës me votat e shumicës së deputetëve shqiptarë, serbë dhe të tjerë në Kuvend!

Edhe përkundër faktit se Albin Kurti po mundohet t’i rezistojë përmbajtjes së marrëveshjes bazike për Asociacionin, e ka të kotë parandalimin e themelimit dhe ikjen nga obligimet ndërkombëtare.

Kurti e di mirë faktin se nuk mund ta parandalojë themelimin e Asociacionit, prandaj po e bën luftën me lojë fjalësh ndaj gjithë bashkësisë ndërkombëtare duke u sjellur si ‘Superman’ i bashkësisë së vogël shqiptare.

I tillë duket në veprimet e tij, anipse ai e di që nuk mund t’i ikën këtij obligimi ndërkombëtar për të cilën është pajtuar me Vuqiqin në Bruksel dhe Ohër!

Pajtimi i tij për të nënshkruar kompromisin për Asociacionin me dizajn dhe emertim të ri, është rrëshqitje në “Dorën e Vuqiqit”.

Me lojë fjalësh drejt themelimit të Asociacionit

Pajtimi i kryeministrit Kurti që të formohet Asociacioni i Komunave Serbe (njëetnike) me terminologji të re përmes të ashtuquajturit Instrument i Vet-Menaxhimit për Serbët e Kosovës (IVMSK) janë e njëjta gjë, por me paketim të ri politik, ngjashëm sikur ‘plazma’ keksat e Serbisë të ripaketuar në Kosovë! Pasi të njëjtat kompetenca ekzekutive që i ka AKS do t’i ketë edhe IVMSK-ja e Kurtit.

Sadoqë po përpiqet ta aktërojë patriotin pas takimeve me Vuqiqin, edhe Albin Kurti me IVMSK-në ka rënë në nivelin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës

Siq e dimë të gjithë, para ardhjes në qeverisjen e vendit, kushti i Albin Kurtit për dialog me Vuqiqin ishte njohja paraprake nga Serbia, mirëpo që në fillim i hasi “sharra në gozhdë”, kur qeveria amerikane i sugjeroj për marrëveshje pa njohje reciproke.

Kjo i bie që, fillimisht Kurti të pranojë themelimin e Asociacionit për deeskalim të plotë të veriut, pastaj të vazhdojnë negociatat për marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke me Serbinë, e cila nuk pritet të ndodhë edhe për 100 vjetët e ardhshme.

Ky është kushti dhe realiteti më i hidhur për shqiptarët e Kosovës, të cilët ose duhet të pranojnë themelimin e Asociacionit ose veriu i vendit do të shndërrohet në gengrenë për shtetin e Kosovës i cili paguan qindramiliona euro për çdo vit për serbët lokalë, të cilët që 24 vite jetojnë në luksin përrallor duke i shfrytëzuar resurset energjetike dhe ujore të Kosovës pa e paguar asnjë cent, e të mos flasim për obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës të cilat as nuk diskutohen në ndonjë forum politik.

Në këto rrethana duhet të zgjedhim mes “Status Quos” dhe ecjes përpara, mes mbrojtjes së integritetit personal të një kryeministri kryeneq apo të mbajtjes afër të miqve që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, si kusht i vetëm për ekzistencën e Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Në të kundërtën, paligjshmëria në veri dhe zbrazja nga shqiptarët në brendi do ta rrezikojnë të ardhmen e shtetit.

Shkruan: Florim ZEQA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here