Sot tentativa e 19-të

0
50

Për të tetëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të hënën ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, që ka dalë nga zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt.

Dështimi i radhës erdhi pasi partitë opozitare refuzuan për të dhjetën herë me radhë që të propozonin anëtarë për një komision të përkohshëm, i cili do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Çështja e votimit të fshehtë është kthyer në mollë sherri mes pozitës dhe opozitës. Më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte propozuar që zgjedhja e kryetares së Kuvendit të bëhej përmes një votimi të fshehtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dështoi disa herë të siguronte shumicën prej 61 votash.

Ky propozim është kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetues këtë mënyrë të votimit. Në ankesën e tyre, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kanë kërkuar që Gjykata të ndërmarrë një masë të përkohshme, për të ndaluar mbajtjen e seancave derisa të merret një vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e procedurës së propozuar.

Në vazhdimin e seancës konstituive të mbajtur më 19 maj, partitë opozitare refuzuan sërish të propozojnë përfaqësues në komisionin për votimin e fshehtë, duke thelluar ngërçin institucional.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Sot pritet të mbahet seanca e 19-të, ndërkohë që bllokada parlamentare po zgjatet dhe po rrit shqetësimin për funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here