Sot vendi do të përfshihet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, me mot që do të karakterizohet nga vranësira të herëpashershme dhe intervale me diell. Reshjet e shiut pritet të nisin që në orët e para të mëngjesit, ndërsa intensiteti i tyre do të rritet gjatë pasdites dhe mbrëmjes, kur priten rrebeshe lokale të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, shkruan 04 Online.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit dhe në disa zona mund të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi që pritet të arrijë nga 20 deri në 65 kilometra në orë, duke krijuar kushte të favorshme për stuhi të shkurtra.
Sa i përket temperaturave, ato do të shënojnë një luhatje të lehtë. Vlerat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 22 deri në 24°C./04 Online