Me rastin e përvjetorit të 25-të të rënies së dëshmorit të kombit, Hysni Sylë Temaj, u bënë vizita tek varri i tij në Landovicë dhe në familjen e tij në Kushnin të Hasit.
Pak vite pas lufte, në fshatin e lindjes, dëshmorit i është ngritur një përmendore. Ndërkaq, Komuna e Prizrenit në vitin 2012 i ka vënë emrin shkollës së fshatit, Kushnin, SHFMU ‘Hysni Temaj’, duke nderuar veprën e tij.
Dhuna, terrori dhe çlirimi i vendit nga regjimi i Serbisë, ishte motivi kryesor dhe i vetëm që e shtyri dëshmorin e kombit, Hysni Temajn, që të inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai, bashk me të atin e tij, Sylën, për herë të parë në radhët e pjesëtarëve të UÇK-së, ai u inkuadrua në vendlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Inkuadrimi në radhët e UÇK-së, Hysniut ia mundësoi t’ia jep grushtin e fortë dhe të merituar regjimit më të egër dhe barbarë të Serbisë së Millosheviqit.
Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve legjendare të Pashtrikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Kushnin të Hasit. Edhe pse nga arsimtarët e shkollës ishte vlerësuar ndër nxënësit më të shkëlqyeshëm, ai për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike nuk arriti të vazhdojë dhe realizoi ëndrrën e tij për shkollë. Si nxënës i shkollës fillore ”Qemajl Guranjaku” në vitin 1988,’89 në kundërshtim për ndryshimin dhe marrjen e dhunshme të Kushtetutës së Kosovës, ai ka marrë pjesë edhe nëpër demonstratat e ndryshme të cilat janë organizuar në shenjë revolte dhe pakënaqësie për këtë.
Në vitin 1989, së bashku me bashkëfshatarët, marshoi në këmbë nga Kushnini në drejtim të Prizrenit, për t’ju bashkuar masës së qytetit dhe për të vazhduar së bashku këmbë drejt Prishtinës. Mirëpo, me të arritur në fshatin Gjonaj të Hasit, që gjendet vetëm 15 km larg qytetit të Prizrenit, Hysniu së bashku me bashkëfshatarë e tij, përballet me forcat e policisë serbe, të cilët e penguan realizimin e synimit të tij, dhe të bashkëfshatarëve për të marrë pjesë në protestën e organizuar në Prizren.
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1988-1989, aktiviteti i tij, përcillet vazhdimisht nga UDB-ja e Jugosllave. Hysniu në fillim të vitit 1992 detyrohet nëpër malet e Pashtrikut të kalojë kufirin Kosovë-Shqipëri. Ai pas kalimit të kufirit shkon në Tiranë, ku qëndron vetëm një vit. Gjatë kësaj kohe ndonëse punoi si bukëpjekës, synimi i tij, për ta çliruar një herë e përgjithmonë Kosovën nga forcat barbare serbe çdo ditë rritej. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai arriti të kontaktoi shumë intelektualë dhe qytetarë me të cilët çdo herë ka biseduar temën e çlirimit të Kosovës.
Një vit pas qëndrimit në Tiranë, ai kthehet në fshatin e lindjes, Kushnin të Hasit. Kthehet në mesin e bashkëfshatarëve të cilët e çmonin dhe e përkrahnin vazhdimisht në aktivitete patriotike dhe kombëtare. Forcat e policisë dhe ushtrisë serbe, që s’ishin të paktë në atë kohë që qëndronin rrëzë Pashtrikut dhe kufirit Kosovë-Shqipëri, e shikonin me zili atdhedashurinë e Hysniut, i cili tregonte jo vetëm në rajonin e Hasit, por edhe më gjerë.
Duke e parë se veprimtaria dhe atdhedashuria e tij, ishte halë në sy për forcat serbe në vitin 1993, ai sërish vendos që të marrë rrugën e ilegalitetit. Ai në mënyrë ilegale kalon kufirin, jo Kosovë-Shqipëri, por Kosovë-Maqedoni. Edhe në këtë vend si në Tiranë, punon zanatin e bukëpjekësit, por si gjithnjë, duke menduar në formimin e një organizate ilegale, e cila qëllim kryesor do të kishte çlirimin përfundimtar të Kosovës nga makineria serbo-çetnike. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, policia serbe filloi të shantazhojë familjen e tij në fshatin Kushnin, me pretekste të ndryshëm.
I revoltuar nga ky veprim i policisë serbe, ai në viti 1998, rikthehet në vendlindje. Ndryshe nga hera e parë, kësaj radhe, ai inkuadrohet dhe zhvillon aktivitete të dendur në radhët e UÇK-së. I frymëzuar me ide patriotike nga stërgjyshi Sylë Temaj, i cili ishte luftëtar i Ali Pash Gucisë në luftën Malësisë së Malit të Zi, dhe duke parë që në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Hysniu kishte gjetur rrugën për t’u kyçur drejtpërdrejt në luftën çlirimtare të Kosovës. Në verë të vitit 1998 shkon në Drenicë, dhe inkuadrohet në radhët e luftëtarëve UÇK-së.
Në Drenicë qëndron tri javë, për t’u rikthyer në shtëpi me veprimtarin e tij patriotike të një pjesëtari të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut. Nën komandën e kësaj Zone, Hysniu disa herë kishte shoqëruar luftëtarët e UÇK-së, të të gjitha Zonave, gjatë kalimit të kufirit Kosovë-Shqipëri, për furnizim me armë. Kështu u formuan edhe celulat e para të UÇK-së, rrëzë Pashtrikut Legjendar. U formua një grusht i fortë kundër forcave serbe, duke u rritur shpresa për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri. Pas formimit të këtyre celulave ushtarake, Hysniu gjithmonë ishte në ballë të luftës së lavdishme dhe shoqërimit të kolegëve luftëtarë, gjatë kalimit të kufirit për furnizim me armë. Ai ishte njohës i mirë i kufirit. Çdo herë kishte përcjellë dhe pritur çlirimtarët e UÇK-së.
Pas kësaj veprimtarie, Hysniu në vitin 1999, me disa luftëtarë shkon në Qendrën Stërvitore të UÇK-së në Kalimash. Pas përgatitjeve të duhura ushtarake, si pjesëtar i batalionit të Dytë të Këmbësorisë, e cila vepronte në kuadër të Brigadës “138” të UÇK-së, një muaj pasi dërgohet në frontin e Koshares. Fronti i luftës në Koshare me 10 prill të vitit 1999, i cili udhëhiqej nga eprori Sali Çeku, filloi të shtrihej edhe më tej, ku përballë kishte makinerinë serbo-çetnike, e cila ishte e armatosur deri në dhëmbë. Aty luftuan e qëndruan luftëtarët trima të UÇK-së, të cilët kurrë nuk iu nënshtruan robërisë dhe vdekjes së padenjë. Duke parë se në asnjë mënyrë nuk mund të ballafaqohet me luftëtarët e lirisë së UÇK-së, forcat serbe filluan granatimin me tanke dhe kalibrave të ndryshme.
Por trimat nuk mposhtën lehtë. Më 19 prill të vitit 1999, në pa mundësi për t’i për ballë tytave dhe trimërisë së luftëtarëve të UÇK-së, forcat serbe pas humbjeve të mëdha, gjatë vazhdimit të granatimeve, sollën edhe përforcime të tjera, ku pas luftimeve të përgjakshme në vendin “Rrasat e Kosharës”, bien heroikisht në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë dëshmori i kombit Hysni Temaj, së bashku me eprorin Sali Çeku dhe disa luftëtarë të tjerë. Ai me luftën e tij heroike ia ktheu krenarin e ngritur Hasit dhe tërë Kosovës. Dëshmorët e lirisë, Hysniu, Saliu dhe disa të tjerë me nderime ushtarake u varrosën në të njëjtën ditë në Bajram Curr të Shqipërisë. Ndërsa rivarrimi i Hysniut, u bë me 15 shtator 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë.
Pak vite pas lufte, në nderim të jetës dhe veprës në fshatin e lindjes, dëshmorit i është ngritur një përmendore.
Ndërkaq, Komuna e Prizrenit në vitin 2012 i ka vënë emrin shkollës së fshatit, Kushnin, SHFMU ‘Hysni Temaj’, duke nderuar veprën e tij.