Sokoli: Punimet pa plan, shkel e shko dhe pa mbikqyrje profesionale të pushtetit, rrezikojnë 14 fshatra ti lëjnë pa ujë

0
152

LVV-ja në Prizren ka reaguar edhe një herë rreth dëmtimit të burimit të ujit në fshatin Nashec, nga i cili aktualisht furnizohen disa fshatra, kryesisht nga Hasi.

Selman Sokoli asambleist i LVV-së në konferencën për media ka kritikuar pushtetin lokal të udhëhequr nga Shaqir Totaj, duke thënë se punimet pa plan kanë rezultuar më dëmtimin e burimit të ujit të quajtur “Sozi” në Nashec.

“Faleminderit që keni gjetur kohë të ndjekni këtë konferencë për shtyp të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, përmes së cilës shprehim shqetësimin dhe i bëjmë thirrje komunës së Prizrenit, që të jenë më të përgjegjshëm gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre ligjore në mënyrë që të mos e cenojnë jetesën e qytetarëve tanë.
Siç keni mundur ta shihni gjatë këtyre viteve prej se kryetar i Komunës është Shaqir Totaj, paligjshmëria është rregull, e zbatimi i ligjit është përjashtim. Kjo qeveri e klaneve dhe moskokëqarëse karshi interesave të qytetarëve, prej se ka filluar mandatin është karakterizuar me shkelje dhe veprime që kanë dëmtuar interesin e përgjithshëm publik.
Prej prishjes së shtegut të bicikletave; punimeve pa projekte që në fund mbesin gërmadha, ndërkohë shpenzohet buxheti i taksapaguesëve tanë; prishja e parkut te lagja Bazhdarhane, ndër të paktët që ka komuna jonë; e deri te dëmtimi i burimit ‘SOZI’ në Nashec nga i cili furnizohen disa fshatra, pjesa më e madhe e tyre të rajonit të Hasit, janë veprime të pamenduara dhe arrogante që dëmtojnë kualitetin e jetës për qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Për më shumë se dy muaj këto fshatra kanë pasur problem me furnizim me ujë të pijshëm për shkak të disa problemeve me energji që pompojnë ujin deri në rezervuare. Kohëve të fundit kishte stabilizim të furnizimit, mirëpo së fundmi ka pasur përsëri probleme për fshatrat që furnizohen nga burimi i Sozisë dhe pas ankesës së banorëve, organet kompetente kishin konstatuar që ka rënie drastike të nivelit të ujit në kaptazhë, rrjedhimisht nuk ka ujë të mjaftueshëm për të pompuar në rezervuar.
Krejt kjo pas punimeve që po zhvillon aty komuna e Prizrenit dhe siç duket sikurse në çdo pjesë të qytetit, edhe këtu ka punime pa plan e projekt, shkel e shko, e pa mbikqyrje profesionale dhe këto janë pasojat e kësaj qasje të Shaqir Totajt.
Nga burimi i Sozisë furnizohen fshatrat:

  1. Planej
  2. Gorozhup
  3. Milaj ( Stajk)
  4. Mazrek
  5. Gjonaj
  6. Grazhdanik
  7. Nashec
  8. Tupec
  9. Atmaxhë
  10. Kobaj
  11. Vlashnjë
  12. Kojush I
  13. Kojush II
  14. Landovicë, dhe të gjitha këto bashkë, pra mijëra banorë të komunës sonë, vuajnë pasojat e veprimeve të pakoordinuara të një kryetari të papërgjegjshëm, dhe moskokëqarës karshi interesave dhe nevojave të tyre për të pasur shërbimet bazike që janë qenësore për një jetë të dinjitetshme në vendet ku jetojnë. Nga këtu, edhe një herë i drejtohemi pushtetarëve lokal që të reflektojnë dhe të jenë më të kujdesshëm, sepse pasojat e veprimeve të tyre nuk po i bartin ata dhe familjarët e tyre, por qytetarët në përgjithësi, e në këtë rast më së shumti rajoni i Hasit.
    Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, Totaj kishte premtuar furnizim të rregullt me ujë, por çka po bënë në pushtet, është krejt e kundërta e asaj që ka premtuar. Ai nga papërgjegjësia e tij, po dëmton edhe ato burime ekzistuese përmes të cilave furnizohen me ujë të pijshëm qytetarët e komunës sonë.”, ka thënë Sokoli në konferencën për media./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here