Kjo është pika e parë e planit, që do të trajtohet së bashku me disa të tjera, në debatin e parë të hapur, i cili do të drejtohet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, më 2 qershor.
“Ne jemi Shqipëria dhe ne do ta nisim presidencën tonë të parë në Këshillin e Sigurimit me transparencën dhe përkushtimin më të plotë”.
Kështu e ka nisur fjalën e tij, ambasadori i përhershëm shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i cili ka prezantuar përpara medias planin veprues të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, përgjatë periudhës njëmujore ku Shqipëria mban presidencën.
Çështja e parë dhe më e rëndësishme për t’u trajtuar, lidhet pikërisht me llogaridhënien ndërkombëtare dhe urgjencën për të vepruar ndaj krimeve të shkaktuara ndaj grave të dhunuara të Kosovës.
Në vëmendje të kësaj mbledhjeje, do të jenë edhe nënat e pikëlluara në Bosnjë, sipas ambasadorit, fëmijët e Ukrainës, viktimat pa emër në rajonin e Tigray-t, për Azara-t në Afganistan, për Yazidët në Irak, Rohyngat e të burgosurit politikë në Myanmar dhe Sudan, si edhe për të arrestuarit në Siri apo gazetarët e vrarë në krye të detyrës, transmeton Ap.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u përkushtuar ndaj normave dhe vlerave tona thelbësore dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të zbatuar pajtueshmërinë dhe për të ndaluar shkeljet”, ravijëzoi Hoxha.
Ndërkaq, seanca të tjera të Këshillit të Sigurimit, do të kenë sërish në vëmendje çështjet e paqes apo sigurisë (mbi të gjitha atë të grave e vajzave dhe fëmijëve).
Pas nuk do të mbetet as lufta në Ukrainë, e cila është kryefjalë për politikën e jashtme globale tashmë.
Për ambasadorin shqiptar, qershori do të jetë një muaj shumë i ngarkuar.
Por, kjo nuk do ta ndalojë Shqipërinë të japë kontributin dhe të kryejë detyrën e saj si anëtare për herë të parë në Këshill.
“Ju premtoj se do të tregojmë akte konkrete në realitet”, e përmbylli fjalën e tij Hoxha.