Shqetësuese: 8 vrasje brenda 42 ditëve në Kosovë, dy prej tyre u kryen në prani të fëmijëve të viktimave

0
252

Që nga 1 gushti deri më sot, vendi është tronditur 8 herë nga vrasjet që ndodhën, shpesh në hapësira publike duke rrezikuar numër të madh njerëzish. Përderisa tri vrasje – në Prishtinë, Skenderaj dhe Klinë – u kryen në kafiteri ku kishte shumë persona, dy të tjera u kryen në prani të fëmijëve të viktimave – në Prizren dhe Podujevë. Mirëpo jo të gjithë të dyshuarit për këto 8 vrasje janë arrestuar, pasiqë për vrasjen në “Bon Vivant” në arrati ende është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar, ndërsa për krimin në Skenderaj paidentifikuar janë dy persona të dyshuar.

Në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë të dashurën e tij, shtetase të Argjentinës, Maria Clara Urdangaray. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.

“VRASJE: Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas Zvicran. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti ne procedure hetimore”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

Për këtë rast kanë raportuar mediat në Argjentinë e Zvicër, ndërkaq babai i të ndjerës ishte i bindur se vrasja e bijës së tij është femicid.

“Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur”, tha Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara.

Endrit Nika është arrestuar dhe tani ndodhet në paraburgim.

Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se 32 vjeçari e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh të veturës.

Ndërkaq, së fundi Ministria e Drejtëisë ka vendosur që t’i mbulojë shpenzimet për bartjen e kufomës së viktimës në Argjentinë, pasi familja kishte bërë të ditur se nuk ka mundësi t’i kryejë ato.

Një tjetër krim goditi Prishtinën mbrëmjen e 4 gushtit. Një përleshje që nisi në një tavolinë të kafiterisë “Bon Vivant” përfundoi me një të vrarë e rreth 17 të lënduar.

Për këtë rast janë arrestuar Andi Pajaziti i njohur si “Italiani”, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj.

Mirëpo, një tjetër person është në arrati për këtë rast. Bëhet fjalë për Dukagjin Nikollajn, i njohur me nofkën “Duka”. Ai ishte i kërkuar nga FBI, dhe qysh prej natës tragjike, ai nuk është kapur ende nga Policia e Kosovës. Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

I vrarë nga përleshja e armatosur ka mbetur Kastriot Ramadani nga fshati Zabel i Ulët i Drenasit.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, përshkruante Prokuroria.

Për këtë rast është edhe një i dyshuar, që ende nuk është identifikuar.

Ndërsa tri ditë më vonë, një krim tjetër ndodhi në një kafiteri tjetër. Por kësaj here në qytetin e Klinës.

Atje Tush Frroku hyri në një kafiteri dhe shtiu shtatë herë mbi tashmë të ndjerin, Anton Prela, të cilin e kishte dhëndërr.

Frroku pas kryerjes së krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe pas 8 ditësh ai është dorëzuar në polici. Madje për gjetjen e tij, Prokuroria Themelore kishte aktivizuar dronë dhe Policia e ka shpallur në kërkim, duke ia publikuar edhe fotografinë e të dhënat.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se fillimisht i dyshuari e ka ftuar viktimën jashtë lokalit e më pas viktima është futur brenda.

Sipas tij, viktima dhe i dyshuari ishin familjarë mes vete.

“Viktima ishte i martuar me motrën e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, tha ai.

Ndërkaq më 10 gusht, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, kishte bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë plagosur pasi dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në një kafiteri në fshatin Runik të Skënderajt dhe kanë gjuajtur me armë zjarri.

Të dyshuarit më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Zahiti për Express.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kishte mbetur i vrarë Negjmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç.

Akoma nuk dihen motivet e vrasjes dhe të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

Ndërkaq, një 65-vjeçar është gjetur pa shenja jete më 12 gusht, rreth orës 17:15  në rrugën e UÇK-së në Mitrovicë.

Fillimisht ky rast ishte kualifikuar si vdekje e dyshimtë, mirëpo më pas i është bërë autopsia dhe si rrjedhojë e hetimeve, është arrestuar personi i dyshuar.

Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona.

Ndërsa, më 31 gusht, në fshatin Balincë Sh.K i moshës 29 vjeçare u privua nga jeta. Për vrasjen e tij, janë arrestuar tetë persona në cilësinë e të dyshuarve, ndërkaq dorasi dyshohet të jetë A.G.

Sipas burimeve të T7, motivi i vrasjes ishte një borxh që dorasi ia kishte viktimës.

Viktima i cili ishte tregtar i druve në ditë tragjike kishte shkuar në Balincë për ta kërkuar borxhin nga dorasi dhe më pas ka nisur përleshja që përfundoi me vrasjen e tij.

Rastin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore  është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij.  Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj për Express.

Disa ditë më vonë, Gjykata Themelore në Gjakovë i kishte caktuar nga një muaj paraburgim për shtatë të dyshuarit, ndërsa për të tetin arrest shtëpiak.

Një vrasje tjetër ka ndodhur në mbrëmjen e 3 shtatorit, rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren, pas një zënke që thuhet se ka nisur mes viktimës dhe të pandehurit.

I dyshuari, Aziz Gashi dyshohet se para gruas dhe vajzës 8-vjeçare të të ndjerit, ka shtënë në drejtim të tij me kallashnikov fillimisht 2-3 herë e më pas i është afruar dhe ka shkrepur edhe dhjetë plumba. Si pasojë e plagëve të marra në kokë, Beqir Morina ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Gashi ka qenë në arrati për gati 24 orë mirëpo më pas Policia e kishte gjetur atë në fshatin Tërpezë të Malishevës.

“Po është arrestuar gjatë ditës. Gjatë ditës është bastisur së paku një objekt, aty nuk është gjetë i dyshuari, por arma e tij që dyshohet se është përdorë. Në mbrëmje është arritë të lokalizohet i dyshuari, në fshatin Tërpezë të Malishevës”, kishte thënë zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Express.

Tashmë, i dyshuari Aziz Gashi ndodhet në paraburgim.

Para syve të djalit të tyre 4 vjeçar u vra Valmir Breznica, ndërsa gruaja e tij u plagosë në stomak, dje rreth orës 12:30 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri,  në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.   Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para  të marra  nga mjekët emergjent është konfirmuar se një  person  është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.   Aktualisht policia po vijon  punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, ka konfirmuar dje për Express, zëdhënësi i policisë Agron Borovci.

Për këtë rast, më pas janë arrestuar dy persona, një i mitur që dyshohet se është dorasi dhe një person i moshës madhore që dyshohet se e ndihmoi atë të kryejë vrasjen.

E si motiv i kësaj vrasje dyshohet të jetë hakmarrja. Raportohet se i dyshuari ishte plagosur dhe sulmuar vitin e kaluar nga disa persona përfshirë edhe viktima, Valmir Breznica i njohur me nofkën “Dhia”. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here